Azemi, burri i madh i kombit shqiptar, gjunjëzoi diktaturën më të egër në Europë dhe u dha lirinë shqiptarëve
Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha
Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha zhvilloi dje homazhe në nderim të figurës së “Heroit të Demokracisë” Azem Hajdari si dhe mori pjesë në ceremoninë e rivarrosjes së eshtrave në varrezat “Dëshmorët e Kombit”. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Berisha risolli në vëmendjen e shqiptarëve veprën heroike të Azemit në përpjekjet e tij për çmontimin e zinxhirëve të robërisë diktatoriale. Për ish kreun e PD, Azemi mbetet burri i madh i kombit shqiptar, i cili gjunjëzoi diktaturën më të egër komuniste në Europë dhe bëri për lirinë e shqiptarëve të shtypur më shumë se kushdo tjetër në histori. “Të dashur miq, sot vendosëm në Varrezat e të Rënëve të Kombit, eshtrat e burrit të madh të kombit shqiptar, tribunit legjendar të lirive dhe dinjitetit njerëzor të shqiptarëve, udhëheqësit të lëvizjes studentore të dhjetorit ‘90, themeluesit të PD, mikut tim të paharruar Azem Hajdarit. Në krye të lëvizjes studentore në dhjetor të vitit 1990, Azemi gjunjëzoi diktaturën më të egër komuniste në Europë dhe bëri për lirinë e shqiptarëve të shtypur më shumë se kushdo tjetër në histori. Nder për jetë veprës së pavdekshme dhe kujtimit të ndritur të Azem Hajdarit! Azem ti je gjallë!”