Azerët, me shumë shanse për të fituar?!
Sot, ora 12:00 luhet akti final i privatizimit. Loja politike dhe konkurrentët
Në sytë e medias, Ministria e Ekonomisë tenton të bëjë sa më transparent procesin e privatizimit të Albpetrol-it. Paraqitja e ofertave do të bëhet sot, ora 12:00, dhe mundësitë për tu ndjekur live janë të shumta, sikurse u veprua 4 vjet më parë me ARMO-n. Në tre muajt e verës nuk munguan informacionet nga më të ndryshmet se kush ishte më i interesuari, kujt do tia jepte qeveria dhe loja e kujt po luhej. Sot do të mësohet se cila nga 19 kompanitë që kanë tërhequr dokumentacionin e tenderit do të paraqesin ofertat. Mësohet se seriozisht e kanë marrë vetëm 5 kompani, të cilat vizituan nga afër ambientet e kompanisë, panë me sy puset, mënyra si punohej, kushtet, bënë pyetje etj.
Rusët ishin të parët që u vërsulën. Janë dy kompani të njohura, Gazprom dhe Rusneft, që me anë të partnerëve të tyre në Serbi dhe Turqi kanë potenciale ekonomike për të blerë Albpetrol-in. Pastaj erdhën kinezët, të cilët qëndruan disa ditë, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Fier, madje në fushat me erën e rëndë të naftës. Nuk mbetën pas edhe kanadezët, të zotët e shtëpisë. Kompania Bankers e njeh mirë territorin e naftës në vend, pasi operon prej 2004-s dhe zotëron mbi 90% të puseve dhe nuk do të ishte çudi një ofertë nga e ana e tyre.
Megjithatë ditët e fundit, në ambientet e kompanisë qarkullon lajmi se një kompani nga Azerbajxhani i ka të gjitha potencialet për të fituar garën, tashmë të kthyer në politike-ekonomike. Burime të gazetës pohojnë se një shoqëri azere, pjesë e projektit gazsjellës TAP, pritet të jetë një nga konkurrueset në tenderin e privatizimit të Albpetrol-it. Burimet shtojnë se ky interesim ka lindur pas konfirmimit se projekti i TAP-it po merr gjithnjë e më shumë konfirmime se do të jetë fitues dhe do të kalojë edhe në territorin shqiptar.
Qeveria shqiptare, përveç të drejtës për të kërkuar dhe zhvilluar naftë, i jep shoqërisë së interesuar licencë rafinerie, por edhe tregtimin apo transmetimin e gazit, shtesa këto që tentojnë ti rrisin vlerën Albeptrol-it. Natyrshëm që kompania azere, me interesa në projektin TAP, e sheh më me leverdi se konkurrentët e tjerë sipërmarrjen e privatizimit. Kjo, pasi shfrytëzimi i hidrokarbureve, përpunimi dhe eksportimi i tyre do të jetë me kosto më të ulët për kompaninë në fjalë, kandidate në privatizimin e Albpetrol-it. Por, burimet nuk kanë dhënë më shumë detaje rreth kësaj kompanie. Ndërkaq, mësohet se kjo kompani nuk ka pasur një interesim të drejtpërdrejtë për aspektin financiar dhe juridik të Albpetrol-it, ashtu si kandidatet e tjera. Mësohet gjithashtu se pranë kompanisë azere ka interesa dhe një kompani amerikane.
Gjatë muajve të fundit janë futur në një garë që ngjasonte më shumë me një luftë gjeopolitike, mjaft kompani ndërkombëtare që kanë influencë të madhe në biznesin botëror të hidrokarbureve.
Në bazë të pasqyrës financiare të vitit 2012, kapitali total i Albpetrol-it kap shifrën e rreth 600 milionë dollarëve. Ndërkohë që nga burime të METE-së është mësuar se pritet që Albpetrol të privatizohet për jo më shumë se 300 milionë dollarë. Në paketën e privatizimit është parashikuar që blerësit ti jepet edhe licencë për ndërtimin e një rafinerie nafte.
Në bazë të pasqyrës financiare të vitit 2012, kapitali i kompanisë kap shifrën e 600 milionë USD
Punonjësit - Privatizimi do të pasohet me largimin nga puna të rreth 1800 punonjësve, të cilët prej shtatorit të vitit të kaluar paguhen në gatishmëri
Maksim Shuli, ekspert dhe ish-drejtor i kompanisë analizon procesin
Nuk mund të shiten të gjitha aksionet, varianti më i mirë
Hapat e parë të privatizimit të Albpetrol janë hedhur në vitin 1993, kur u miratua ligji Për hidrokarburet, por gabimi më i rëndë është kryer në fund të viteve 90, kur kompania u nda në tri pjesë, dy prej të cilave aktualisht kanë falimentuar. E treta. Albpetrol po shitet 100% në kushte tejet të vështira dhe në kohë të papërshtatshme. Maksim Shuli, ekspert i naftës analizon procesin e privatizimit dhe tregon variantin më të mirë. Ai ka punuar prej 25 vjetësh në industrinë e naftës dhe gazit, ish-president i kompanisë Albpetrol dhe ish-n/kryetar i Agjencisë Kombëtare të Energjisë. Sipas tij, qeveria duhet të mbajë disa aksione, sikurse kanë vepruar shumë shtete të tjera.
Kur ka nisur për herë të parë privatizimi i Albpetrol, dhe cila do të ishte forma më e duhur?
Pas viteve 1990, sigurisht pas një sistemi të centralizuar si kudo edhe në naftë filluan proceset demokratike të reformimit dhe të transformimit të kompanisë më të madhe në vend, që në atë kohë jepte rreth 25-30% të GDP-së së ekonomisë. Si kudo edhe këtu nisi procesi i reformimit të këtij sistemi, por që fatkeqësisht nuk filloj si duhej. Këtë unë e kam paraqitur qartësisht në librin tim Nafta dhe Politika ku tregohen me argumente se kush ka luajtur faktor negativ dhe pozitiv.
Privatizimi i Albpetrol-it ka filluar me miratimin në Parlament të Ligjit të Hidrokarbureve në vitin 1993 në kohën kur qeveriste PD-ja, e cila lejonte thithjen e investimeve të huaja nëpërmjet një kornize ligjore tashmë të përcaktuar, por gjithsesi kishte shumë vend për tu përmirësuar. Kjo është edhe koha kur Albpetrol-i u shndërrua në shoqëri aksionere dhe ku kërkohej të punohej që kjo kompani me një peshë të madhe në ekonominë e centralizuar të bëhej një kompani kompatibël dhe të përballej me ekonominë e tregut të lirë. Në vitet 1997-1998 kur unë personalisht kam qenë deputet dhe Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë është kryer ristrukturimi dhe përgatitja për privatizim. Janë diskutuar dy variante që në vitin 1997-98 për ristrukturimin e kompanisë së naftës:
Varianti i parë, kompania të ruante formën që kishte, aktivitetin me cikël të mbyllur (up-stream and down-tream). Kjo formë u përshtatej shumë mirë interesave të vendit tonë, që në fakt të gjitha kompanitë simotra në vendet e Europës Lindore ruajtën këtë formë dhe ia dolën shumë mirë, pasi ndikuan me 30% në totalin ndaj të ardhurave. Nëse do të realizohej ky variant, të ardhurat tona do të ishin maksimale, kurse nga shitja e aksioneve, nisur nga pozicioni gjeografik do të përfitonim shumë e më shumë, nga sa po tentohet sot.
Varianti i dytë, kompania jonë të ndahej në tri pjesë: në kompaninë Albpetrol, në kompaninë ARMO dhe në kompaninë Serkom. Ky ishte krimi më i madh që i është bërë shtetit shqiptar, sepse ndarja solli falimentimin, në fillim për atë të shërbimeve Servkom-in, për shkak të konkurrencës së egër dhe të padrejtë. Kemi shembullin e ARMO-s, tashmë të privatizuar, të ndarë nga Albpetrol, dhe ku shihet qartë gjendja e saj në prag falimenti. Pavarësisht gabimeve, sot qeveria do të shesë Albpetrol-in në gjendjen e tij më të keqe, me vlerën më të ulët dhe në kohën më të papërshtatshme.
Shteti po i shet 100% aksionet. A është e drejtë kjo?
Për mua si ekspert i naftës ndiej keqardhje për gjendjen ku është katandisur ky sektor, sikur më vjen keq edhe për kolegët e mi që po e shfrytëzojnë negativisht këtë pasuri. Shkëputja e ARMO-s nga Albpetrol u bë për arsye pë