Shitja e Albpetrol-it, vendim strategjik, por edhe ekonomik
Zv/ministri i Ekonomisë, Bozdo, shpjegon procesin kompleks të privatizimit
ARD KOLA
Vendimi për shpalljen e fituesit nuk do të merret duke u nisur vetëm nga çmimi i ofruar, por edhe nga plani i investimit. Nuk do të shikojmë të tashmen (çmimin), por edhe të ardhmen (investimin), thotë zv/ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, 24 orë para privatizimit të kompanisë, nga ku do të mësohet se cilat kompani janë më të interesuara. Sipas tij, procesi ka qenë tejet kompleks për shkak të natyrës. Pse po shitet e gjitha, pse jo me koncesion, çfarë po afrohet, lista C, etj, janë disa nga çështjet e trajtuara në intervistën që zv/ministri dha për gaztën Shqip.
Nesër (sot) është dita e paraqitjes së ofertave për Albpetrol-in. Mund të na thoni veçoritë e procesit të deritanishëm, si ka ecur, problematikat, etj?
Dua të them që në fillim se ky është një ndër privatizimet më komplekse që Ministria e Ekonomisë ka ndërmarrë ndonjëherë, sepse aseti që privatizohet është i një natyre të veçantë dhe operon në një nga sektorët më të rëndësishëm e strategjikë, siç është sektori energjetik i hidrokarbureve.
Procesi ka qenë i gjatë dhe kompleks, pasi synimi ynë kryesor ka qenë të maksimizojmë vlerën e asetit publik që do të privatizohet. Çka do të thotë se në një paketë të vetme është futur jo vetëm mundësia për të eksploruar dhe më tej për të prodhuar në territorin shqiptar, sikurse është vepruar me marrëveshjet e tjera hidrokarbure, por duke pasur parasysh dhe duke qenë të kujdesshëm ndaj aseteve të tjera që kompania zotëron, si baza mekanike, depozitat, tubacionet,infrastruktura energjetike, burimet njerëzore, pronësinë intelektuale (studimet)etj, ne kemi arritur të krijojmë një paketë të plotë. Pra, një kompani që privatizohet me asetet e luajtshme dhe të paluajtshme të saj, dhe në të njëjtën kohë brenda kësaj formule ndodhet edhe mundësia koncesionare për të investuar në nëntokën shqiptare dhe për të prodhuar naftë apo gaz natyror.
Pse privatizohet kompania, pse shteti nuk mund ta mbante, bashkë me fitimet që krijonte apo cila mund të ishte forma më e duhur?
Albpetrol-i sot, si një kompani 100% shtetërore, e ka të pamundur të gjejë nivelin e mjaftueshëm të kapitalit dhe të know-how teknologjik për të investuar suksesshëm për nëntokën shqiptare. Mjafton të them që investimet në nëntokë, që prej vitit 2004 kur nisën marrëveshjet hidrokarbure, janë rritur me 100-fish në rendin e miliardave dollarë. Një qeveri bën bilancin dhe, nëse vendos ta lërë Albpetrol-in siç është, pra, kompania ti kryejë me forcat e veta investimet, natyrshëm me ndihmën e buxhetit të shtetit, do të kishim me padyshim më pak shkolla, rrugë apo spitale të investuara me fonde publike.
Duhet të kemi parasysh edhe faktin se, nuk ka asnjë vend në botë, që sado i pasur apo i fuqishëm, duke nisur nga vendet e Lindjes së Mesme, Brazili, Venezuela, SHBA-ja, Rusia, Kanadaja, etj, që me paratë publike, të kanalizuara përmes shoqërive 100% shtetërore, të realizojnë investime për zbulimin dhe pastaj nxjerrjen e naftës dhe gazit në të gjithë territorin e tyre. Mund tju jap plot shembuj. Irani, Iraku, Katari apo Kuvajti kanë kompanitë e tyre shtetërore, por i zhvillojnë me bashkëpunimin përmes shoqërive të huaja, si BP-ja, Shell, ExxonMobil Gazprom, Royal Dutch Shell, etj, për të ndarë riskun e mos gjetjes së burimeve të naftës. Investimet për të tilla operacione janë të shumave marramendëse. Për të kryer shpime nevojiten teknologji të nivelit të lartë, që vetëm kompani të caktuara i kanë. Janë operacione me vlera të larta investimesh dhe risk të madh. Këtë po bëjmë edhe ne aktualisht, duke u përpjekur të tërheqim në këtë sektor kapitalin dhe teknologjinë e huaj, proces i cili ka nisur që në vitin 2004.
Privatizimi i nëntokës shqiptare do të thotë shitje e saj? Sa e drejtë është kjo?
Ky koncept është i gabuar, ndoshta i keqkuptuar, dhe për fat të keq, i nxitur me qëllim nga opozita. Në fakt, marrëveshja hidrokarbure më e rëndësishme është e lidhur në vitin 2004, mes Albpetrol-it dhe kompanisë kanadeze Bankers, kur socialistët ishin në pushtet. Në atë kohë, janë dhënë me koncesion, fushat e naftës, rezervat e njohura, pra, që ishte provuar se në atë burim kishte naftë, një kompanie private, e cila investoi në teknologji të reja, duke rritur prodhimtarinë e naftës dhe natyrisht ku shteti përfiton më shumë. Me legjislacionin shqiptar, nafta dhe gazi (por edhe pasuritë e tjera minerare)nuk mund të privatizohen dot. Ky koncept aplikohet në 90% të vendeve të botës. Për rrjedhojë njihet si model ai i dhënies me koncesion për shfrytëzim për një periudhë kohe të caktuar.
Atëherë çfarë po ndodh, privatizim apo koncesion, pasi po e jepni me licencë shfrytëzimi 25-vjeçare?
Kompania Albpetrol, nesër e privatizuar do të pajiset me një licencë 25-vjeçare ashtu si të gjitha kompanitë e tjera private për të shfrytëzuar me koncesion fushat e naftës, si rezervat e njohura, ashtu edhe blloqet ku nuk është investuar asnjëherë dhe ku nuk është provuar nëse ka rezerva nafte dhe gazi. Kjo e drejtë jepet me licencë, ashtu si dhe kompanive të tjera dhe pas këtij afati ai ka të drejtë për të aplikuar sërish.
Po atëherë pse privatizim dhe jo koncesion? Janë terma që e kanë komplikuar pa të drejtë procesin. Le të themi se përveç shitjes se aseteve të përmendura më sipër, do të ketë njëkohësish edhe një marrëveshje hidrokarbure shfrytëzimi për të investuar në nëntokën shqiptare.
Ndoshta mund të vepronim sikurse është realizuar deri tani: thjesht të jepnim me koncesion blloqet e lira, por qëllim kemi edhe realizimin e investimeve dhe vlerësimin e aseteve dhe burimeve njerëzore. Në rast se nuk ofroheshin për shitje edhe asetet, ky objektiv nuk mund të realizohet.
Duke parë listën, duket një garë e fortë, por në fakt sa prej tyre janë treguar më të interesuar?
Interesimi i kompanive ka rezultuar mjaft pozitiv, madje përtej pritshmërive, duke parë emrat dhe forcën që ato zotërojnë. Deri në fazën e interesimit jemi optimistë se kemi realizuar një proces shumë të mirë. Megjithatë, është herët që të themi rezultatin, pasi presim ofertat e kompanive nga do të kuptojmë kush do ta çojë deri në fund interesimin për të blerë Albpetrol-in.
Për ne e rëndësishme ishte transparenca në këtë proces, ku për të arritur më të mirën e mundshme ndërtuam një databazë me të gjitha të dhënat e kompanisë: ekonomike, financiare, juridike dhe teknike. Janë më shumë se 15 kompani që kanë marrë dokumentet dhe janë njohur me asetet dhe çfarë përmban shoqëria. Të interesuarit janë njohur me të gjitha të dhënat inxhinierike, gjeologjike dhe gjeofizike, marrëveshjet e Albpetrol-it, madje dhe me problematikat që mbart kjo kompani, pasi, siç e përmenda më lart, qëllimi ynë ishte zhvillimi i një procesi sa më transparent. Kush nga kompanitë ka shprehur interesin për të vizituar nga afër kompaninë, i është dhënë e drejta. Janë rreth 5 kompani që e kanë bërë një gjë të tillë. Janë realizuar seanca të gjata me pyetje përgjigje me specialistët e Albpetrol-it, për të kuptuar realisht gjendjen e kompanisë, sa vlen, etj.
Mund të mësojmë qartë dhe saktë se çfarë shteti po shet me anë të Albpetrol-it, cilat janë zonat e përfolura dhe e famshmja lista C që prek edhe detin?
Ligji bazë i vitit 1993 dhe licenca që i jepej Albpetrol-it e caktonte kompaninë si agjentin shtetëror që të vepronte në emër dhe në llogari të shtetit s