Azia, kontinenti i miopëve

Më shumë se 90% e personave me shkollim të lartë në qytetet kryesore aziatike vuajnë nga miopia, çrregullimi i të parit larg, vlerësoi një studim i publikuar të premten.
Kërkuesit vlerësuan se ka një rritje të jashtëzakonshme të numrit të personave që kanë nevojë për syze si rrjedhojë e shkollave tepër të vështira që kërkojnë studime të zgjatura, të cilat e reduktojnë shumë kohën e ekspozimit të syrit ndaj dritës natyrore.
Sipas revistës shkencore “Lancet”, në rast se rastet nuk trajtohen, një në pesë studentë është i rrezikuar nga dëmtimi i rëndë i shikimit, madje edhe nga verbimi.
Në Europë, mesatarja e miopëve është rreth 20-30%. “Të dhënat na tregojnë se diçka e jashtëzakonshme është duke ndodhur në Azinë Lindore në dy brezat e fundit”, deklaroi Ian Morgan, profesor i Universitetit Kombëtar të Australisë.
”Numri i miopëve midis popullsisë është rritur nga 20% në 80%, me një tendencë për të shkuar deri 90%, tek të rriturit e moshës 25-40 vjeç. Ndërsa ata do të plaken, problemet do të rëndohen dhe praktikisht e gjithë popullsia mund të ketë nevojë për syze”. Ajo që mbetet ende për t`u përcaktuar është nëse në këtë rritje të madhe të numrit të personave me probleme me shikimin ka një faktor gjenetik apo ndikohet nga arsye të tjera të jashtme”.