Zjarri në magazinë, shkaku mund të jetë bërë kabulli elektrik
Vetem në orët e para të paradites është bërë e mundur fikja e plotë e zjarrit të magazines që ndodhet pranë Qytetit të Nxënësve. Magazina e djegur ishte e padepërtueshme brenda janë shprehur zjarrëfikësit dhe për këtë arsye janë detyruar që të shembin godinën me anë të një fadrome, duke rrëzuar muret dhe çatinë e saj në mënyrë që të realizonin me sukses këtë operacion tek i cili janë dashur gjithësej 10 bote me ujë. Malli që u dogj përbehej nga 15 ton arra, gjë e cila e vështirësoi akoma më shumë situatën që u krijua. Forca të ndryshme të policisë kanë qënë të pranishme edhe në orët e para të paradites për të bërë inspektimin e zonës dhe zbardhjen e ngjarjes. Sipas disa burimeve nga policia akoma nuk është vërtetuar saktë se cili ka qënë shkaku i ngjarjes, por pistat te të cilat po hetohen janë ajo e rrezikut nga një kabëll elektrik që ndodhet pranë magazinës, por nuk përjashtohet edhe fakti i ndonjë zjarrëvënieje me qëllim. Magazina shtetërore ishte e dhënë me qera dhe përdorej për arsye tregëtie. Gjatë zjarrit muret dhe godina nuk kanë patur shembje. Pronari i ndërtesës dhe dy rojet që kanë qënë të pranishme gjatë marrjes së flakëve janë shoqëruar për të dëshmuar pranë komisaritatit nr 6 në zonën e Kombinatit. Forcat e zjarrëfikësve dhe të policisë kanë ndërhyrë katër minuta menjëherë pas ndodhjes së ngjarjes. Sipas tyre ka qënë fat që nuk ka patur dëme në njerëz si dhe dëme më të mëdha materiale, pasi afër saj ndodheshin edhe disa magazine të tjera. Bisneset e tjera përbri magazinës së djegur kanë vazhduar punën e paradites në mënyrë normale. Materialet e marra nga policia dhe ekspertët që kanë inspektuar zonën e zjarrit i kaluan prokurorisë.