E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama për festat: “U uroj shqiptarëve shpresë dhe mundësi”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka pritur Krishtlindjet fillimisht në Shkodër. Mesnata e ka gjetur liderin e opozitës në Kishën Katolike të qytetit verior, të shoqëruar nga i biri. Që aty ka përcjellë urimet për të gjithë besimtarët katolikë në vend. Në mesditën e 25 dhjetorit, Edi Rama ka patur në krah sekretarin Organizativ, Blendi Klosi, për të qenë të pranishëm në Kishën Ortodokse në kryeqytet, ku janë pritur nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasi. Pas pritjes së ngrohtë dhe urimeve të rastit, kryetari i PS-së duke folur për mediat ka uruar të gjithë shqiptarët për më shumë shpresë dhe mundësi të reja:
“Dua t’u uroj shërim të shpejtë të gjithë atyre që janë të pamundur. Dua t’u uroj shpresë dhe mundësi të gjithë atyre që janë të varfër e të papunë, në një Shqipëri që jeton ditë të vështira dhe ku kemi nevojë të gjithë për një besim të ri, në mënyrë që të bëjmë realitet ëndrrat e fëmijëve, ambiciet e të rinjve, dëshirat e prindërve, lutjet e të moshuarve. Gëzuar të gjithëve dhe sa më shumë fat”.

Presidenti Topi uron Krishtlindjet dhe vlerëson harmoninë fetare në vend

Me rastin e Krishtlindjeve, Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, vizituan dje Selinë e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Tiranë, ku u pritën nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos. Më pas, ai vizitoi Selinë e Kishës Katolike në Tiranë, ku mirëseardhjen ia uroi Arqipeshkvi metropolit i Tiranës dhe Durrësit dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Rrok Mirdita. “Natyrisht që sot është një ditë shumë e veçantë, një ditë e gëzuar. Dëshiroj të jap një mesazh urimi për të gjithë besimtarët e krishterë dhe ky mesazh është për të gjithë popullin shqiptar. Besoj se nuk e teprojmë të japim të njëjtin mesazh se festa e Krishtlindjeve është festë për të gjithë shqiptarët, sikurse të gjithë ne festojmë Bajramin. Kjo është shenjë e harmonisë fetare tradicionale, por kjo është një ditë shumë e rëndësishme për të dhënë më shumë mesazhe paqeje, për më shumë tolerancë, më shumë harmoni. Religjionet kanë qenë gjithmonë pikë referimi dhe protagonistë të qetësimit të ujërave dhe në situatat më të vështira që ka pasur Shqipëria dhe kanë qenë misionare të forcimit të demokracisë në Shqipëri, kështu që kemi ç’ka të mësojmë dhe kjo është një ditë e veçantë për ta dhënë këtë mesazh”, - tha Presidenti Topi.

Berisha: “Këto Krishtlindje na gjejnë më të lirë dhe më me dinjitet”

Me rastin e festës së Krishtlindjeve, kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha, vizitoi dje Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku u prit nga Arqipeshkvi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita. Më pas, ai vizitoi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ku u prit
nga Hirësia e tij, Kryepeshkopi Anastas Janullatos, si dhe nga drejtues të tjerë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Pasi përcolli urimet për këtë festë, kryeministri Berisha tha: ”I kremtojmë sot Krishtlindjet më të lirë se kurrë, i kremtojmë ato me dinjitet më të madh se kurrë, Kosova u bë e pavarur dhe kemi 1 000 arsye të falënderojmë Zotin për këto Krishtlindje, sepse i festojmë më afër se kurrë në projektet tona të mëdha të integrimit në NATO dhe Bashkimin Europian. Pra, edhe një herë le të falënderojmë Zotin në këtë ditë të madhe për të gjitha këto mirësi që kombi pati gjatë këtij viti dhe le të urojmë dhe shpresojmë që viti tjetër të na gjejë edhe më mirë”.

26 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›