E Diel, 1 Nëntor 2026

BB 400 mln euro për Shqipërinë. Nuamah flet për strategjinë

Në katër vitet e ardhshme Banka Botërore planifikon të financojë në Shqipëri mbi 400 milion euro. Kjo është zyrtarizuar me miratimin nga bordi i drejtorëve të bankës së Strategjisë së re të Partneritetit të Vendit me Shqipërinë. Kjo strategji që përputhet me strategjinë kombëtare të zhvillimit e integrimit përcakton financimet e bankës për vitet 2011 – 2014. Kështu është vënë vula në atë strategji rreth të cilës u diskutua nga përfaqësuesja lokale e bankës javë më parë në emisionin "Studio e Hapur".

"Jemi konsultuar me qeverinë, por edhe me sektorin privat, e kemi parashtruar atë edhe në parlament me përfaqësues të opozitës dhe të qeverisë, si dhe kemi kryer konsultime me komunitetin e donatorëve, dhe shoqërinë civile. Ne kemi një strategji të re me tri nivele. E para lidhet me ndihmën që do t’i jepet Shqipërisë për të rifituar normat e saj të rritjes duke përmirësuar aftësinë e saj konkurruese. Kjo sigurisht është një deklaratë e madhe. Ne do të mbështesim krijimin e një kornize të shëndoshë makro për ta pajisur barkën me radar dhe në veçanti, në mungesë të FMN-së, mendojmë se ky është një rol shumë i rëndësishëm për Bankën për të diskutuar si me qeverinë, ashtu edhe me parlamentin për strategjinë fiskale dhe monetare, e cila do të na çojë përpara", thote Camille Nuamah, përfaqësuese e BB Shqipëri.

Strategjia e sapomiratuar mbështet rimëkëmbjen e ritmeve të rritjes së Shqipërisë nëpërmjet përmirësimit të konkurrueshmërsë, arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale dhe klimës së biznesit. Në të planifikohen financime në energjetikë, rrugë, furnizimin me ujë dhe mjedis. Po ashtu synohet një program huamarrjeje i fokusuar në infrastrukturën bashkiake, furnizimin me ujë, menaxhimin e mbetjeve të ngurta etj. Shqipëria ka një bashkëpunim me Bankën Botërore që prej 1991. Nga atëherë janë zbatuar 68 projekte me një total prej 1.4 miliardë dollarë. Aktualisht në Shqipëri ka 15 projekte aktive në sektorë të ndryshëm të zhvillimit.

Adi Darsi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›