E Diel, 1 Nëntor 2026

Të ardhurat në buxhet, asnjë ndryshim me 2009

Të dhënat operative 6-mujore flasin për rritje 3.4%, krahasuar me 2009-n. Rritet deficiti

Të dhënat operative mbi nivelin e të ardhurave tregojnë se rritja e tyre nuk shkon më shumë se inflacioni aktual, rreth 3.2 për qind, duke dëshmuar një efekt zero mbi ekonominë. Ndryshe nga herët e kaluara, Ministria e Financave nuk ka pranuar që shifrat t’i publikojë bashkë me planin, duke shmangur të vërtetën mbi realizimin, por është mjaftuar vetëm me vendosjen e tyre në total. Niveli i të ardhurave në buxhet për periudhën janar-qershor ishte 150 miliardë lekë, ose 5 miliardë më shumë se viti i kaluar, me një rritje prej rreth 3.4 për qind, kurse si realizim vjetor është 41 për qind. Nga tatimet dhe doganat janë vjelë rreth 104 miliardë lekë, kurse në tërësi të ardhurat tatimore janë 136.7 miliardë lekë, ose 2.8 rritje në krahasim me një vit më parë. Treguesi kryesor i zhvillimit ekonomik, taksa e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, ka një rritje baras sa inflacioni, 3.3 për qind. Në total, TVSH-ja ka gjeneruar rreth 53.8 miliardë lekë, ose 1.8 miliardë lekë më shumë se viti i kaluar, ose me një realizim prej 42 për qind.

Shpenzimet dhe deficiti

Në tërësi, niveli i shpenzimeve, krahasuar me vitin 2009, rezulton më i ulët, me rreth 7 miliardë lekë. Duke i ndarë në zëra, investimet kapitale janë 32.2 miliardë lekë, ose 16 miliardë lekë më pak se viti i kaluar, ndërsa me planin vjetor rezulton të jetë më pak se 38 për qind. Sakaq, shpenzimet korrente kanë bërë diferencën, pasi rezultojnë gati 139 miliardë lekë, ose 10 miliardë lekë më shumë se viti i kaluar. Duke parë raportin e të ardhurave me shpenzimet, kemi një deficit si 6-mujor në masën 21 miliardë lekë, ose 11 miliardë lekë më tepër se viti 2009. Rritja e deficitit buxhetor nuk shkon në të njëjtën linjë me planin e financave që parashikon reduktimin e saj. Megjithatë, ministria sqaron se të dhënat e publikuara dje janë operative, pra paraprake, që edhe mund të ndryshojnë. Gjithashtu, këto të dhëna i referohen planit para ndryshimit të buxhetit. Me nivelin e ri të buxhetit të miratuar nga qeveria, që parashikon 39 miliardë lekë shpenzime dhe 27 miliardë të ardhura më pak, treguesit e mësipërm do të dilnin pozitivë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›