E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, peshkatari tri ditë i zhdukur

Prej tri ditësh një peshkatar nga qyteti i Shkodrës është deklaruar i humbur nga familjarët. Enver Zeneli, 48 vjeç prej mbrëmjes të së premtes nuk është kthyer në shtëpi dhe familjarët kanë denoncuar faktin në polici. Dyshimet e kësaj të fundit, bazuar dhe nga deklarimet e të afërmve, janë se burri mund të jetë mbytur në lumin Buna në momentin që ka hyrë për të nxjerrë rrjetat e peshkimit si çdo ditë. Kjo ka bërë që operacionet e kërkimit të përqendrohen në rrjedhën e lumit. Gjatë gjithë ditës së djeshme, palombarë të forcave RENEA kanë kërkuar përgjatë lumit dhe në pjesën ku Buna bashkohet me Drinin, por ende kërkimet nuk kanë pasur rezultat. Për momentin është gjetur vetëm rrjeta e peshkimit që i përkiste 48-vjeçarit Enver Zeneli. Duke folur për "Shqip", familjarët e peshkatarit tregojnë se i afërmi i tyre punonte si roje në një objekt pranë lumit Buna dhe kishte pasion peshkimin, të cilin e ushtronte kur kishte kohë të lirë.
"Të premten në darkë ka shkuar në punë dhe nuk është kthyer më. Nga informacionet që kemi marrë nga njerëzit dyshojmë se është futur në lum për të nxjerrë rrjetat e peshkimit", shprehen familjarët. Ndërkohë, drejtori i Policisë së Qarkut Shkodër, Vullnet Topalli, në lidhje me këtë ngjarje ka thënë për gazetën se: "Me të marrë informacionin nga familjarët nisëm kërkimet, por gjatë natën e kishim të pamundur. Kërkuam ndihmën e forcave të RENE-as dhe të palombarëve që janë të specializuar për të tilla ndërhyrje dhe shpresojmë të kemi rezultat. Fakti që rrjedha e lumit është në drejtim të grykëderdhjes së Bunës në kufi me Malin e Zi, na ka detyruar të vëmë në dijeni edhe palën malazeze dhe nga ana e tyre kemi gjetur gatishmërinë për të na dhënë ndihmën maksimale". Kërkimet për gjetjen e 48-vjeçarit të zhdukur, gjatë natës janë ndërprerë për të vazhduar ditën e sotme.

A.Hoti

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›