E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daja: Dinamos i mungon mendësia e kampionit

 

Trajneri Ilir Daja pret më shumë nga futbollistët e tij, kur mbeten edhe 5 ndeshje deri në finish

"Na mungon ende mentaliteti i kampionit." Kështu është shprehur trajneri i Dinamos, Daja.Ndeshja mes Shkumbinit dhe Dinamos nuk ka pasur asnjë incident për t'u shënuar dhe në të tilla raste, kur ndeshja ishte fryrë në mënyrë artificiale, edhe pse rezultati ishte i baradhë 0-0, ai që fiton është futbolli "fair play", që u zhvillua në Peqin. Vetë trajneri Ilir Daja e pranon diçka të tillë, ndërkohë që ish-tekniku i Elbasanit është i kënaqur edhe nga gjykimi i arbitrit kryesor Tanush Latifi. Por ajo që e mërzit teknikun Daja pas analizës së thellë që i ka bërë ndeshjes është mungesa e shpirtit të garës nga ana e disa futbollistëve të tij, sidomos në ndeshjen e Peqinit. "Në radhë të parë, në Peqin fitoi futbolli, pavarësisht rezultatit të bardhë 0-0. Ishte një takim i fortë dhe i mirorganizuar nga ana e drejtuesave peqinas. Ndërkohë, edhe arbitrimi ishte perfekt. Në 10 minutat e para Shkumbini na shtrëngoi shumë dhe pati dy mundësi të pastra, të cilat u neutralizuan nga ana e portierit tonë Kotorri. Sigurisht, "gardiani" ynë është një nga më të mirët në Shqipëri dhe është pjesë e skuadrës sonë. Ajo që më shqetëson më shumë si trajner është mungesa e shpirtit të garës nga disa futbollistë në gjirin tonë. Kur mbeten edhe 5 javë nga përfundimi i kampionatit, nuk mund të luajmë me atë përkushtim, por na nevojitet 100% mund e sakrificë. Jemi në pikën kulmore të superligës dhe futbollistët tanë kanë treguar mungesë mentaliteti prej kampioni në Peqin. Në radhë të parë, futbollisti ka një sedër sportive, që duhet ta nxjerrë në të tilla takime, ndërkohë që ne ishim tepër të pasaktë jo vetëm në lojë dhe përkushtim, por edhe në rastet e krijuara përpara portës kundërshtare. Pejiçi kishte një rast flagrant me kokë 5 metra larg portës, por edhe raste të tjera. Për sa u takon futbollistëve të aktivizuar në pjesën e dytë, jam i kënaqur nga Ferraj dhe Diop, ndërkohë që për Pemën kam rezervat e mia, pasi ka mundësi të tregojë diçka më tepër në lojën e tij. Këtu nuk dua të fajësoj vetëm futbollistët, pasi faji është disi i përbashkët, por kërkoj nga skuadra ime përkushtim dhe sakrificë deri në finishin e kampionatit. Ndaj Shkumbinit gabuam në bllok në lojën difensive, pasi i dhamë kundërshtarit tonë mundësi për të gjetur rrugën e rrjetës në disa raste, por edhe në anën tonë rastet nuk munguan, ku Pejiçi në minutën e fundit mund të na kishte dhënë fitoren. Gjithsesi, tashmë duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës ndaj Elbasanit dhe që sot do të fillojmë përgatitjet tona për këtë takim,"- e ka mbyllur prononcimimin e tij Ilir Daja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›