E Diel, 1 Nëntor 2026

BB: Kriza ekonomike do të thellojë varfërinë në Shqipëri

Nga Fitim Zekthi

Efektet e krizës ekonomike botërore të pasqyruara tashmë në Shqipëri do të bien kryesisht mbi shtresat e varfra. Banka Botërore saktëson në një raport të fundit për efektet e krizës ekonomike botërore se Shqipëria është në grupin e atyre vendeve, të cilat kanë nisur të përballen me rënien e ritmeve të ekonomisë, e cila do të sjellë humbje të vendeve të punës dhe rritje të varfërisë. Banka Botërore ka bërë një klasifikim të të gjitha vendeve dhe Shqipëria, ndonëse një vend, i cili do të vijojë të rritet ekonomikisht, është përfshirë në grupin e vendeve, ku kriza do të rrisë numrin e njerëzve që jetojnë në varfëri. Ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet edhe gjatë këtij viti të madh krize në të gjithë botën, por kjo rritje do të bjerë me rreth dy herë krahasuar me vitin e kaluar. Banka Botërore vëren me shqetësim se Shqipëria ka shumë pak ose aspak mjete për të përballuar thellimin e varfërisë si pasojë e krizës ekonomike. Shqipëria, pohon Banka Botërore në raport, nuk ka mundësi të ndihmojë ekonominë me politika fiskale, pasi ajo e ka të pamundur të ulë taksat kryesisht për shkak të politikës së deritanishme, ku disa taksa të rëndësishme janë ulur. Gjithashtu, qeveria shqiptare nuk ka mundësi të thellojë deficitin dhe të shpenzojë pará, pasi do të rrezikonte shumë më tepër ekonominë. Banka Botërore bën me dije se shtresat e varfra do të jenë gjithnjë e më shumë në numër në të gjithë botën për shkak të krizës ekonomike dhe se viti 2009 do të jetë viti më i keq për ekonominë botërore prej dekadash. Kriza ekonomike, e cila nisi në vendet më të zhvilluara të botës, do të rëndojë varfërinë në vendet me shkallë të ulët zhvillimi ose në vendet në zhvillim. Vende si Shqipëria nuk do të mund të ruajnë nivel të njëjtë të varfërisë, pavarësisht faktit se sistemi financiar është i qëndrueshëm. Problemi qëndron tek ekonomia, e cila është një ekonomi e varur plotësisht nga përmasat e rënies së ekonomisë botërore. Shqipëria ka një ekonomi, e cila lëkundet shpejt, pasi është ekonomi e vogël dhe me strukturë shumë të brishtë. Vetëm rënia e dërgesave të parave të emigrantëve bën që deficiti i vendit të mbetet zbuluar në atë masë, sa të ndikojë në zhvlerësimin e lekut. Rënia e dërgesave të emigrantëve rrëzon fuqinë blerëse dhe pastaj me radhë treguesit e ekonomisë nisin të lëkunden të gjithë. Banka Botërore edhe më herët ka shprehur shqetësime për nivelin e varfërisë dhe ka kërkuar që qeveria të identifikojë njerëzit që janë në nevojë. Banka Botërore ka thënë vitin e kaluar që shtresat e varfra nuk janë ndihmuar dhe pagat janë rritur për shtresa që nuk jetojnë në varfëri. Banka Botërore shtresat e varfra i shikonte më të pranishme te të papunët dhe te familjet e reja, gjë që qeveria shqiptare vitin e shkuar nuk e mori në konsideratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›