Flamuri mëson për llogaritë e doktorit për zgjedhjet
Flamuri shkoi dje për drekë te Liqeni, te “Gambero Rosso”. Sa hyri brenda, kamerieri iu turr te tavolina.
- Mos u ul këtu, - tha, - se kemi hall mos na vjen prapë shefi sot. Se ishte të shtunën.
- Kush shef? - i tha Flamuri.
- Ai burri, siç thua ti, - tha kamerieri.
- S’ka problem, - i tha Flamuri, - se dhe po erdhi, me mua do rrijë. Pastaj ndenji pak, dhe e pyeti nga meraku.
- Me kë ishte të shtunën ai këtu?
- Shoqërohej nga Ridvan Bode, Aleksandër Frangaj dhe Sokol Olldashi, - tha kamerieri.
- Përse folën apo s’dëgjove gjë? - i tha Flamuri.
- Le, le, se i dëgjova të gjitha, - i tha kamerieri. - Tema e bisedës ishin si zakonisht zgjedhjet e 28 qershorit.
- Hë, çfarë thanë ndonjë gjë? - i tha Flamuri.
- Gallatë e madhe, - i tha kamerieri. - Frangaj, si më pak optimisti, mori letrën dhe nisi llogaritë. Në fund i qiti 68 deputetë të PD.
- Kaq del, - tha, - dhe s’e lun topi. I kam bërë një ditë dhe llogari me Blushin. Ai i nxirrte 63, po unë i bëra 68. Më shumë nuk shtohet. Unë po deshe firmos këtu që kaq del. Pjesa tjetër duhet marrë doemos, o Ilir Meta, o të bëjmë koalicion me Ramën. E firmosi letrën me Frangajn, shkroi 68 dhe ua la përpara.
E mori Olldashi. Ia korrektoi disa qarqe dhe i bëri 72.
- Kaq del, - tha, - vetëm ne, dhe e shkroi pas Olldashi.
E mori Ridvani që u bë kurioz. I hodhi një sy gjithë qarqeve, shtoi dhe dy.
- 74, kaq del, - tha - dhe shkroi Ridvani.
Në fund e mori Berisha. I hodhi një sy letrës me të qeshur.
- Miqtë e mi, - tha, - kjo shifër duhet 78. Ja po e firmos, Berisha.
Debati rreth numrit zgjati gjatë gjithë drekës. Në fund u çuan dhe ikën. Në një tavolinë ngjitur me ta nga ana tjetër ishte Argita me burrin dhe disa miq (jo Fazlliçin). Kamerieri shkoi, falënderoi Berishën për vizitën dhe tha se dreka është e paguar nga ajo tavolina aty.
- Të paguajnë, - tha Berisha, - se këta kalamajtë e mi kanë pará, se kanë babanë gjallë. ǒtë bëj unë që më ka vdekur.
Qeshën dhe u ngritën.
Pas pak kamerieri, në vend që të merrte faturën t’ia çonte Argitës, i çon letrën e deputetëve.
Argita po e lexonte dhe s’po merrte vesh gjë.
Shikonte Frangaj 68, Olldashi 72, Bode 74, Berisha 78. Iu duk letër pa kuptim. I mblodhi të gjitha bashkë, i dolën 292. - Epo do jetë 292 mijë lekë, - tha. Iu dukën pak, se ata kishin marrë tri vera “Gaia”, që bëjnë secila nga 200 mijë lekë. S’dinte sa të paguante.
Thirri kamerierin.
- Të lutëm, cila nga këto katër shifra është e vërtetë, se janë katër emra?
Kamerieri, pasi i hodhi një sy emrave, tha pa u menduar fare.
- E doktorit është e vërtetë, - tha. - Ai nuk gënjen kurrë.
- Si shumë të lartë e paska, - tha Argita, - shiko mos është kjo e Frangajt, se zakonisht ky paguan në dreka.
- Jo, jo, e doktorit është, - tha ai.
- Epo mirë, po paguaj të doktorit, - tha Argita. - Në euro e ka apo në lekë?
- Në euro, - tha kamerieri, - se i marrim nga jashtë karkalecat.
Argita pagoi dhe u bë gati të ikte.
- M’u duk sikur nuk u kënaqe që thashë se shifra e doktorit është e saktë, - i tha kamerieri.
- Jo, jo, s’ka problem, - i tha Argita. - Ai e ka kollaj, se gjithë kryeministrat kanë punuar të mbajnë fëmijët, vetëm ne fëmijëve të tij na ra në pjesë të punojmë të mbajmë babanë.
- Qenke kënaqur me muhabete, - i tha Flamuri. - Mos ia trego njeriu këto, se e ka zët ai burri. Ai vetëm mua m’i thotë këto, kur është në qejf.