BB: Pa termocentrale nuk do të ketë gazsjellës
Banka Botërore bëri të ditur se e vetmja mënyrë që gazsjellësi TransAdriatik të ndërtohet, është shoqërimi i këtij projekti me ndërtim termocentralesh. Në një raport të zgjeruar për situatën energjetike në rajonin tonë, BB thotë se gazifikimi i Europës Juglindore kërkon domosdoshmërisht ndërtimin e termocentraleve.
“Gazsjellësi Jon-Adriatik është pjesë e një projekti më të gjerë për të krijuar unazën e gazit në rajonin e Ballkanit dhe do të lidhë me rrjetin botëror të gazit Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kroacinë e Jugut”, thuhet në raport. Gazi i konsumuar në këto vende do të sillet nga Rusia dhe Azia Qendrore duke përdorur linjat ekzistuese që e dërgojnë aktualisht atë deri në Bullgari e Greqi. “Që projekti për këtë gazsjellës të bëhet ekonomikisht i leverdishëm dhe i financueshëm nga bankat, nevojitet ndërtimi i tre termocentraleve, një në Fier, një në Podgoricë në Malin e Zi dhe një në Split të Kroacisë”, vijon raporti. “Por e ardhmja e këtyre termocentraleve është shumë e paqartë, për shkak se asnjë nga projektet nuk është përfshirë në planet e deklaruara të këtyre vendeve për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike”.
Gazi është burimi më i lirë i energjisë që përdoret aktualisht në të gjithë botën. Shqipëria është një nga pak vendet e fundit të kontinentit europian që nuk ka asnjë lidhje ndërkombëtare të furnizimit me gaz përmes tubacioneve. Pikat më të afërta të lidhjes me rrjetet ndërkombëtare të gazit janë Greqia dhe Maqedonia. Por të gjitha analizat bëjnë të ditur se ndërtimi i një gazsjellësi është pa leverdi në rast se gazi nuk përdoret për të furnizuar një termocentral.
#