E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti dekreton kreun e Prokurorisë së Durrësit

Altin Binaj

Presidenti i Republikës ka dekretuar kreun e ri të Prokurorisë së Durrësit, i cili do të jetë Altin Binaj, deri dje në postin e akuzës së Fierit. Binaj është futur në garë me 15 kandidatë dhe gjatë votimit të Këshillit të Prokurorisë ka marrë dy vota, ndoshta i rekomanduar nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama. Ai ka lënë pas prokurorët Ardian Ylli, Adnan Xholi dhe Përparim Kulluri. Të katërt këta prokurorë kanë zhvilluar dy ditë më parë takime “kokë më kokë” me kreun e shtetit, ku i kanë bërë një prezantim të karrierës së tyre. Në fund, emri që i ka lënë mbresa presidentit ka qenë Binaj, i cili është transferuar dje pasdite nga Prokuroria e Fierit në Prokurorinë e Durrësit ku dhe do të marrë drejtimin e saj, pas lënies bosh të vendit nga Bujar Sheshi i komanduar prej katër muajsh. Në këtë mënyrë merr fund ngërçi institucional në akuzën e Durrësit, e cila kishte mbetur pa drejtues pas mbarimit të komandimit të Sheshit. Akuza në fjalë përgjatë ditëve të fundit drejtohej nga një zv/prokurore dhe nga ana tjetër zhvilloheshin negociatat për emrin e ri. Mësohet se vendimmarrja ka qenë e vështirë, pasi preferencat e kryeprokurores nuk përputheshin me ato të Presidentit. Ngërçi ishte në terren, pasi shumë dosje penale në Durrës nuk po merrnin zgjidhje ligjore. Dhe, si pasojë e kësaj zvarritjeje, Presidenti ndërhyri personalisht duke i thirrur një e nga një të gjithë kandidatët që morën vota në Këshillin e Prokurorisë. Nisma e Topit u cilësua nga akuza qendrore si e paprecedentë, pasi asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që kreu i shtetit të marrë “në pyetje” një e nga një kandidatët për drejtues të një prokurorie. Ata e cilësonin këtë veprim si “shmangie” të Prokurorisë së Përgjithshme dhe veçanërisht të kryeprokurores Ina Rama, e cila duhet t’i propozonte kreut të shtetit një emër konkret dhe më pas Presidenti duhet të vendoste me dekret për drejtuesin e ri të akuzës në Durrës. Sipas procedurës, emërimi i prokurorit të rrethit fillon me votimin e kandidaturës në Këshillin e Prokurorisë, i cili i propozon emrin ose emrat e prokurores së Përgjithshme. Kjo e fundit zgjedh emrin e prokurorit dhe më pas ia kalon atë Presidentit të vendit për dekretim. Nëse Presidenti nuk dekreton emërimin, çdo vendim i prokurorisë është i pavlefshëm. Emërimi i prokurorit të ri të Durrësit është zvarritur që nga 30 tetori i vitit 2009. Gjatë kësaj kohe ka pasur disa “negociata” për emrin e drejtuesit të ri. Këshilli i Prokurorisë ka shtyrë disa herë mbledhjen, pasi palët nuk binin dakord për emrin. Në fund është zhvilluar mbledhja e shumëpritur dhe janë votuar 15 kandidatë, nga të cilët katër kanë marrë votë. Siç duket edhe nga votimi, asnjë prej kandidaturave nuk ka marrë votat unanime, por ato janë ndarë. Asnjë prej preferencave të akuzës qendrore apo të palëve të tjera që kanë ndikuar në votim nuk ka marrë votat e nevojshme, duke e thelluar këtë krizë institucionale. Duket se në këtë pikë ka ndërhyrë Presidenti, i cili ka studiuar të gjitha kandidaturat dhe në pas propozimit të kryeprokurores ka vendosur Altin Binajn në postin e drejtuesit të akuzës së Durrësit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›