E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ul shitjet me pakicë dhe punësimin

INSTAT publikon statistikat: Shqiptarët konsumuan më pak mallra në dhjetor

Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë ka shënuar një rënie prej 3 për qind gjatë tremujorit të fundit të vitit 2009, në krahasim me vitin 2008, njoftoi dje Instituti i Statistikave në një raport periodik. Rënia e shitjeve me pakicë u shoqërua edhe me ulje të numrit të të punësuarve në këtë sektor me 3.5 për qind. Rënia më e fortë u shënua te shitja e veshjeve dhe këpucëve. Sipas të dhënave të grumbulluara nga INSTAT, shqiptarët shpenzuan 23 për qind më pak për paraqitjen e jashtme gjatë tremujorit të fundit, një fenomen ky shumë i pazakontë, për shkak se festat e dhjetorit shoqërohen përgjithësisht me rritje të shitjeve. Rënie tjetër të konsiderueshme prej rreth 18 për qind u regjistrua edhe në shitjet e librave, gazetave e të artikujve shkollorë, ndërsa statistikat flasin edhe për rënie të konsumit të ushqimeve dhe pijeve me 1.4 për qind. Rënia e shitjeve me pakicë është shoqëruar pothuajse në të njëjtën masë me rënien e numrit të të punësuarve në këtë sektor. Dyqanet kanë një rëndësi shumë të madhe për punësimin në Shqipëri, pasi sipas statistikave të Ministrisë së Punës, disa dhjetëra mijëra vetë jetojnë me të ardhura nga shitjet me pakicë, qoftë si të vetëpunësuar, qoftë si të punësuar.

Rritje kanë shënuar shpenzimet e shqiptarëve për riparim automjetesh dhe për blerje karburanti. Kjo e fundit lidhet me rritjen e çmimeve të karburantit. Nga ana tjetër, pavarësisht krizës, shqiptarët futën në shtëpitë e veta pajisje të reja elektroshtëpiake. Sipas INSTAT, i shitjeve të këtyre produkteve qëndroi në të njëjtin nivel me një vit më parë, ndërsa punësimi u rrit me 8 për qind.

Shitjet me pakicë kanë njohur rritje të konsiderueshme, shumë shpesh dyshifrore në Shqipëri gjatë të gjithë dekadës së fundit. Gjatë vitit 2009, për herë të parë në shumë vite, shitjet me pakicë shënuan rënie. Shkaku kryesor konsiderohet rënia e fuqisë blerëse të shqiptarëve, shkaktuar nga rënia e të ardhurave nga emigracioni.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›