BB: Shqipëria një histori suksesi, e ardhmja e saj e mrekullueshme
Indermit Gill, Kryeekonomisti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore prezantoi dje në Tiranë, raportin “Rritja e artë, rikthimi i shkëlqimit të modelit ekonomik të Europës”. Shqipëria nuk ka rënë në grackën e shumë vendeve që pasi arritën në nivelin e të ardhurave mesatare, mbeten në vend dhe e humbën këtë moment, vlerësoi krye-ekonomisti qeverisjen e këtyre viteve të fundit
“Shqipëria ka një të ardhme të mrekullueshme”. Vlerësime e larta u bënë nga Indermit Gill, kryekonomisti i Bankës Botërore, për Evropën dhe Azinë Qendrore. Indermit Gill, deklaroi se Shqipëria është një histori suksesi në Europë. Sipas Gill, Shqipëria është një nga të paktat vende, që në një kohë shkurtër kaloi nga një vend më te ardhura të ulëta në një vend me të ardhura të mesme dhe të larta. Sipas tij, ajo nuk ngeli në kurthin e të ardhurave të mesme, siç ndodhi për vendet e tjera.
Këto vlerësime Grill i bëri dje, gjatë prezantimit në Tiranë të Raportit të Bankës Botërore “Rritja e artë: Rikthimi i shkëlqimit të Evropës”.
Ky prezantim ishte pjesë e një turi në disa vende të Europës të këtij raporti.
Raporti u prezantua dje në Tiranë, nga një prej autorëve kryesore të tij, Indermit Gill, kryeekonomist i rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore, si edhe Kseniya Lvovksy, Shefe e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Ministri i Financave, Ridvan Bode, Ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, parlamentare, drejtues e punonjës të institucioneve shtetërore e akademike në vend.
Indermit Gill
“Gjatë prezantimit të raportit, duke u ndalur te Shqipëria, Gill vlerësoi se, “Për sa i përket pozicionit të Shqipërisë në lidhje me këtë raport do të thosha që Shqipëria është një histori suksesi sepse është një nga të paktat vende që është rritur ekonomikisht. Sepse ajo arriti në një kohe shumë të shpejtë të kalojë nga vendet me të ardhura të ulëta në grupin e vendeve me të ardhura të mesme e të larta. Shumë pak vende e kanë bërë këtë kalim kaq shpejt sa e ka bërë Shqipëria. Ajo në 2010 ka kaluar në të ardhura për frymë rreth 4000 euro duke mos rënë në grackën e shumë vendeve që pasi arritën në nivelin e të ardhurave mesatare, mbeten në vend dhe humbën këtë moment”, vuri në dukje Gill.
Njëkohësisht, kryekonomisti i BB-së vlerësoi hapat e ndërmarra deri më tani, si dhe pritshmëritë ekonomike në vendin tonë.
“Shqipëria vërteton suksesin e modelit evropian dhe një nga tiparet dalluese e shkëlqyese të tij ‘konvergjencën’. Sipas kësaj karakteristike, të cilën gëzon dhe modeli i Shqipërisë, vendet europiane ecin me shpejtësi me një konvergjencë të shpejte për sa i përket standardeve të jetesës dhe integrimit ekonomik”, u shpreh Gill
Duke ju referuar analizave të njëpasnjëshme bërë ekonomive lindore aziatike, Gill theksoi se, “Shqipëria nuk zgjodhi as rritjen me mundim dhe kursim, as atë të tigrave me shpejtësi të paqëndrueshme, por atë europian, ku mbizotëron disiplina e ekuilibrimit të faktorëve të zhvillimit që sjellin rritje ekonomike me rritje të standardeve të jetesës, me konvergim drejt standardeve europiane të zhvillimit. Gjëja tjetër e mirë e Shqipërisë është se në Shqipëri po ndodhin gjëra shumë të mira. Nëse do të me duhej të vendosja sot një bast për Shqipërinë do të ishte një bast pozitiv. Falë ndryshimeve të arritura dhe vizionit, Shqipëria ka një të ardhme të mrekullueshme”, përfundoi Gill.
Ridvan Bode
Ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili mori fjalën në prezantimin e Raportit të Bankës Botërore, “Rritja e artë: Rikthimi i shkëlqimit të Europës”, deklaroi se qeveria vijon të ketë prioritet përmirësimin e klimës së biznesit dhe mbajtjen e një barre të ulët fiskale.
Sipas tij,vendi ynë i ka rezistuar krizës financiare botërore.
Ministri u shpreh se është punuar për përmirësimin e klimës së biznesit, por ende mbetet shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim. “Disa rezultate janë arritur të konstatohen lehtë. Ende mbetet për t’u bërë një punë mjaft e madhe në këtë drejtim. Përmirësimi i klimës së biznesit do të mbetet agjendë kryesore e politikbërjes së qeverisë edhe në të ardhmen. Jemi të inkurajuar që qeveria ka bërë dy aspekteve, uljen e nivelit të taksave dhe reduktimit të barrierave burokratike. Janë ulur taksat e drejtpërdrejta, nëpërmjet regjistrimit në ‘One stop shop’, janë reduktuar barrierat dhe janë mundësuar pakësimi i burokracive. Kjo ka bërë që ekonomia shqiptare gjatë periudhës së krizës të përballojë me sukses presionet e ardhura nga ekonomia globale.
Qeverisja e vogël me përmasat më të ulëta duhet të mbeten konstante për ekonominë tonë, rritja e efiçencës do të mbetet prioritet i ardhshëm”, nënvizoi Bode.
Ndër të tjera ministri i Financave theksoi se ky raport ka ofruar në mënyrë të suksesshme panoramë të plotë të kompleksit dhe sfidave.
“E konsideroj me vlerë për vetë veçoritë që ai parqet. Veçoria e parë e këtij raporti ka të bëjë se një projekt i tillë i BB, që gëzojnë statusin e vendeve me mirëqenie të lartë nuk është fort i zakonshëm. Së dyti është me shumë interes për vendet si Shqipëria për t’u njohur me problematikat dhe sfidat e ekonomisë evropiane. Në konkluzionet e nxjerra na jep mundësi për të ballafaquar politikat e ndërmarra në këtë proces me eksperienca më të mira nga ekspertët e BB. E ndjejmë veten të inkurajuar në tërësinë e reformave të ndërmarra. Vlerat e këtij raporti dhe fokusi i opinionit që tërheq është shumë më i gjerë se kaq”, vlerësoi ministri.
Indermit Gill: Europa dhe pse në krizë, ka çfarë të ruajë nga modeli i saj i zhvillimit dhe ka për të përmirësuar
Gjatë prezantimit të raportit Indermit Gill, kryeekonomist i rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore, theksoi se Europa dhe pse në krizë, ka se çfarë të ruajë nga modeli i saj i zhvillimit dhe ka për të përmirësuar.
Sipas tij, arritjet e modelit europian në raport me vendet e tjera konsistojnë në: - Mbajtjen ndezur të motorëve të konvergjencës (vendet më pak të zhvilluara të saj po ecin drejt atyre të zhvilluara, duke bërë që lëvizja e fluksit të kapitaleve të parase të jetë nga vendet e zhvilluara me rritje ekonomike të ulët në ato në zhvillim me rritje ekonomike. Si shembull këtu është Shqipëria. - Ruajtjen dhe zgjerimin e mallrave me emër europian të kërkuara në mbarë botën. - Superfuqi për sa i takon stilit të jetesës, pra bilancimit të kohës së punës me atë të pushimit dhe cilësisë së politikave sociale.
- Europa bazon zhvillimin në reforma që synojnë rritje produktiviteti, konkurueshmërie dhe inovacioni, përmirësimi të klimës së biznesit dhe qeverisjes së vogël e eficente.