Kaosi i parullave
Fjala “Parullë” zëvendësohet shpesh në përdorim nga politikanë dhe gazetarë, me fjalën anglishte “Slogan”. Parulla apo Slogan-i, në muajt parazgjedhorë, por sidomos gjatë fushatës zgjedhore, duhet të jetë gjetje edhe mbresëlënëse, shumë e thuktë gjuhësisht, sidomos të shpreh politikisht thelbin e asaj çfarë ka nevojë vendi, ndërsa partia përkatëse ta bëjë strategji të vet, për t’i nxitur zgjedhësit, që t’i bashkohen qëllimit, duke dhënë votën. Edhe nga kjo pikëpamje, domethënë çfarë thuhet dhe si thuhet, gjykohet veprimi i një partie, nëse godit shenjën, apo tjetër gjë e shqetëson shoqërinë dhe tjetërgjë thotë subjekti politik.
Në pluralizëm është e rëndësishme përkujdesja ndaj opozitës. Ajo, që është pushteti moral i sistemit, sapo humb pushtetin ekzekutiv dhe kalon në opozitë, nuk mendon tjetërçka vetëm se çfarë duhet të bëj që të vijë në pushtet, duke formuluar edhe parullën prijëse. Gjatë rreth tetë vjetëve që opozita e majtë kaloi në opozitë dhe mbeti në opozitë, ka hedhur në tregun politik disa parulla, me të cilat mëton se prek atë që është. Por pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2005, opozita u pushtua dhe vuajti dramatikisht nga sindromi për pushtet të parakohshëm. Kjo arriti kulmin me humbjen e zgjedhjeve të vitit 2009. Dështimi i përsëritur solli dëshpërim të thellë sa që, Partisë Socialiste projektoi menjëherë strategjinë e detyrimit të zgjedhjeve të parakohshme. Bëri dy prova gjenerale për ta jetësuar këtë ide: e para qe prova me bllokim dyvjeçar disaformësh të institucioneve; e dyta qe prova e forcës, duke sulmuar Kryeministrinë, më 21 janar 2011. Vetëm rezultati i zgjedhjeve të 8 majit 2011 e detyroi opozitën të mos provonte më, t’i kthehej institucioneve për përmbushjen e 12 rekomandimeve të integrimit të vendit, ndoshta edhe me llogarinë se deri në zgjedhjet e kohshme, mbeti vetëm pak më shumë se një vit e duhen kryer të tjera punë - por pa bllokim dhe pa dhunë. Opozita, edhe pse u përpoq ta flakte fajin përtej gardhit, në oborrin e shumicës, për mosmarrjen dy vjet radhazi të statusit të vendit kandidat për në BE, filloi të ndjente përgjegjësinë e dështimit të tretë, pasi do ta kishte faturë në zgjedhjet e afërta, pak muaj pas festimit të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Shumica pati deklaruar që në fillim: për heqjen e vizave premtojmë - sepse varet nga qeveria, për statusin nuk premtojmë - sepse janë dy palë që kanë detyrime. Kjo nuk e shmangte atë nga përgjegjësia, por ashtu i bënte me dije opozitës se, ajo do të mbante mbi shpinë gjysmën e dështimit të trefishitë ose të suksesit të pritshëm.
Por, nëse, më në fund, opozita po zotërohet nga njëfarë kthjellimi për bashkëpunim, ajo nuk shihet të zotërojë qartësi idesh, gjë që vihet në pah edhe nga parullat e formuluara e të lakuara. Dikur, pas zgjedhjeve të vitit 2005, mendjet e shqiptarëve u bombarduan me parullën e fryrë, “Dialog me Shqipërinë”, e cila për t’i prirë udhëtimit të kryetarit të partisë duhet të qe e formuluar sipas faktit në në terren: “Dialog me socialistët”. Parulla pasuese, e mëvonshme, qe e parrokshme, mund të thuash, as mish as peshk: “Përtej së majtës dhe së djathtës”. Koha provoi se votuesit nuk e bënë të tyrin kumtin e saj sepse, përtej së majtës dhe së djathtës nuk gjendej askush. Lideri i së majtës iu drejtua askushit, dhe nuk mori mbështetje, sepse s’pati kush t’i përgjigjet. Duke mos u shprehur hapur dhe me zë për gjetjen e gabuar, gjatë zgjedhjeve më 2011, u shkua në anën tjetër, me parullë skajshmërisht personalizuese: “Fajin e ka Saliu”. Siç “Përtej…” nuk shënjoi askund, edhe “Faji…” nuk ngjiti te askush. Qortimet erdhën të menjëhershme, madje të rrufeshme, bile edhe qesëndisëse. Ajo u stigmatizua edhe nga vet kreu i shumicës, i cili ndonjëherë bëri humor me të. Këto patën ndikim, sepse ajo u ndryshua, zgjedhjet vendore u prinë nga parulla tjetër - “E vetmja rrugë”. Por, nga personalizimi patologjik për keqbërje - “Faji e ka Saliu”, u kalua në absolutizmin e kryetarit të partisë socialiste - “E vetmja rrugë”, që u komentua si, e vetmja është kjo që them unë. Edhe për të shkuar në Romë, kishte shumë rrugë. Në pluralizëm ka një mrekulli, sepse drejt së mirës nuk ka vetëm një rrugë. Këtë e vërtetuan votimet - zgjedhësit nuk mbështetën absolutizmin “E vetmja rrugë”, por zgjodhën relativizmin “Shqipëria po ndryshon”. Nga humbja sikur nuk janë nxjerrë mësime dhe, argument për këtë është domethënia e një parulle të hedhur në betejën politike shumë muaj para se të vijnë zgjedhjet e përgjithshme. Ndoshta, kjo është parulla më e çuditshme që mund të jetë dëgjuar në gjithë vitet pas rënie së sistemi komunist: “Për një rilindje shqiptare”. Vërtetë rilindasit e mëdhenj i paraprinë Shpalljes së Pavarësisë, domethënë rilindjes shqiptare, por çfarë “pavarësimi” apo sistemi synon opozita me parullën “Për një rilindje shqiptare”?! Kjo parullë nuk e vë në mendime zgjedhësin, madje duhet thënë se gati e lajthit! Dimë që, sipas Biblës dhe Kuranit, ka ringjallje; dimë që ka pasur Rilindje Kombëtare; dimë që, komunizmi kur erdhi në pushtet, e barazoi vetveten me një rilindje përmes të ashtuquajturës Shqipëri e Re; dimë që pas rrëzimit të sistemit komunist, pluralizmi u quajt një rilindje, aq sa gazeta e parë opozitare u pagëzua me emrin “Rilindja Demokratike”. Por, pas rrëzimit të komunizmit dhe vendosjes së pluralizmit, kalimit të pushteti herë nga e djathta e herë majta, parulla “Për një rilindje shqiptare” paraqet ide shterpë. Pas njëzet vitesh stërvitjeje në demokraci të të dy palëve, të partive dhe të zgjedhësve, duhet thënë se, përditë e më qartë shihet që, fitorja arrihet me programe. Opozita e majtë është kritikuar se, më 2005 nuk pati program të besueshëm, më 2009 dhe as më 2011 nuk u kuptua çfarë program pati opozita. Kur nuk ka program, zgjedhjet nuk fitohen me parulla, ndërsa vetë parullat vihen në një kaos të përbashkët me mungesën e ideve.