BB: Shqipëria, rritje e borxhit publik dhe rënie e eksporteve

Banka Boterore / foto arkiv
Ekonomia shqiptare është ngadalësuar me 1.1 për qind rritje për vitin 2012, thuhet në një raport të Bankës Botërore. Krahas Shqipërisë, me të njëjtat ritme është ngadalësuar edhe ekonomia e disa vendeve të tjera të rajonit si: Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.
Në raportin e zhvillimeve ekonomike të Evropës Juglindore, thuhet se ngadalësimi i ekonomisë dëshmohet me rënien e eksporteve dhe me rritjen që po shënon borxhi publik.
Pas një rritjeje prej 2.2 për qind në vitin 2011, shenjat e para tregojnë që gjashtë vendet e Evropës Juglindore (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia) po përjetojnë një ngadalësim të konsiderueshëm në 1.1 për qind rritje për 2012, thotë Zeljko Bogetiç, ekonomisti kryesor për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore, i cili thekson se kjo shifër mund të vijë duke u përkeqësuar, kjo në varësi të zgjidhjes që merr kriza greke.
Është e rëndësishme të theksohet se ky parashikim bazë nënkupton një zgjidhje normale të krizës greke dhe mbajtjen nën kontroll të përhapjes më të gjerë të saj, theksoi Bogetiç.
Sipas Bogetiç, politikat ekonomike në këto gjashtë vende duhet të synojnë krijimin e ekuilibrave që do të çojnë në shmangien e krizës.
Kjo është sfida kryesore afatshkurtër e politikave për vendet në të cilat raporti borxh-PBB është rritur shpejt, thotë Bogetiç, duke theksuar se politikat ekonomike duhet të krijojnë një ekuilibër ndërmjet nevojës për të përmirësuar financat publike dhe për të pakësuar rreziqet makroekonomike nga njëra anë, dhe forcimit të mjedisit të politikave ekonomike për investime, rritje dhe vende pune, nga ana tjetër, thotë Bogetiç. / G.N.