E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupi parlamentar i PD: “Zaganjori meriton konsensusin e opozitës”

05-06-2012 / Gazeta 55

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, kreu i mazhorancës ka marrë mbështetje për politikën e mbështetjes së kandidatit Xhezair Zaganjori, i cili sipas kryeministrit Berisha është përzgjedhur me “seriozitet, transparencë dhe kushtetutshmëri”. Duke shpresuar për gjetjen e një kompromisi dhe votimin e presidentit në raundin e tretë, Berisha ftoi opozitën ta shqyrtonte këtë kandidaturë, qoftë edhe duke e futur në një garë parlamentare me emrin e propozuar prej saj

Kreu i mazhorancës, Sali Berisha ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë për kandidatin e PD-LSI, Xhezair Zaganjori ndërsa ka ftuar opozitën që krahas shqyrtimit të kësaj kandidature me backgraund jo politik, të paraqesë edhe alternativat e saj.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Berisha njohu ligjvënësit lidhur me takimin e të dielës me kryetarin e PS, Edi Rama dhe diskutimet që po bëhen në procesin e zgjedhjes së Presidentit, kur janë konsumuar tashmë 2 raundet e para dhe po shkohet drejt raundit të tretë, i fundit për nga mundësia e konsensusit.
“U zhvillua takimi në Kryesinë  e Kuvendit mbrëmë (të dielën) në ora 20.30 të darkës me Rama dhe Ruçi, ku mendoj se u shprehën gjerësisht pikëpamjet dhe qëndrimet e palëve. Në ekspozenë tonë në këtë takim edhe njëherë ne argumentuam vendosmërinë tonë për të ecur me një ujdi më të gjerë të mundshme dhe në këtë kontekst ne dolëm jashtë fushës politike, e cila në meritë duhet të ishte e para, por në problemin që krijon për konsensusin ajo nuk mund të jetë e para. Duhet të jemi realist, nuk mund të ftosh opozitën dhe ajo nuk mund të të ftojë ty që të votojnë kandidatura të fushës dhe beckgraundit të mirëfilltë politik, nëse është fjala për konsensus gjithnjë, dhe vetë procesi kërkon sinqeritet, kërkon seriozitet, kërkon transparencë”, u shpreh Berisha.
Kryeministri tha se i jep mbështetje të plotë kandidaturës së propozuar prej saj, pasi kandidati zyrtar i mazhorancës është një personalitet me karrierë të gjatë, për gati 31 vjet është pedagog universiteti si dhe përmbush një kriter përcaktues, s’ka qenë qoftë edhe një ditë të vetme në Partinë Demokratike. “Ajo çka spikat në përzgjedhjen tonë është një vlerësim pozitiv, i qartë për kandidaturën e përzgjedhur. Unë u përpoqa të argumentoj mbështetjen që ne i japim kësaj kandidaturë si një mbështetje të merituar, si një mbështetje jo partiake, sepse qoftë edhe një ditë të vetme nuk ka qenë në Partinë Demokratike. Është një personalitet me karrierë të gjatë, për gati 31 vjet është pedagog universiteti, janë me qindra e qindra juristët shqiptarë që ju ka dhënë mësim dhe e njohin, po kështu diplomaci, po kështu në Gjykatë”, tha kryeministri.
Kryeministri Berisha theksoi se mazhoranca ka bërë të gjitha përpjekjet e saj, në respekt me kushtetutën, për një votim të gjerë dhe konsensual.
“Janë bërë përpjekje të mëdha për të respektuar Kushtetutën e vendit, është dëshmuar qartë në mënyrë të kristaltë nga mazhoranca se ka krijuar frymën dhe kushtet për një votim të gjerë konsensual në Parlament. Në tërësi unë e kuptoj adrenalinën që qarkullon tek politikanët në këtë periudhë, por e vlerësoj shumë edhe mirëkuptimin që keni treguar dhe që tregoni, se ky do të jetë një proces sa më i gjerë i mundshëm. Në këtë frymë, dua  t’ju them se konsultimet janë të pa ndërprera, qoftë mes aleatëve në mazhorancë, por dhe me opozitën”, theksoi kryeministri.
Gjithashtu, Berisha i kërkoi Partisë Socialiste të propozojë kandidaturën e saj, në mënyrë që mazhoranca dhe opozita të bëjnë vlerësimin për kandidatin që meriton mbështetje të plotë. “Mendoj se paraqitja është plotësisht transparente, por ndërkohë siç jeni dëshmitarë qoftë edhe njëherë të vetme nuk kam deklaruar dhe nuk kam menduar  se partia kryesore opozitare nuk duhet të propozojë, nuk duhet të paraqesë kandidatura dhe se kandidaturat e saj do të paragjykohen. Jo. Preokupimi ynë duhet të jetë një proces thellësisht, plotësisht kushtetues. Besoj se jemi dakord  që posti është posti i parë i shtetit.  Çfarë dua të them me këtë? Nuk mundet që të shkojmë poshtë, ose të kërkojmë poshtë për të zgjedhur personin, jo, më lart, ndaj dhe në këtë kontekst ju garantoj se ne, dhe unë në mënyrë të përsëritur theksova në takim, do të bëjmë vlerësimin e kandidaturës së paraqitur nga Partia Socialiste. Natyrisht duke besuar se kandidati i përzgjedhur meriton të gjithë mbështetjen tonë të plotë. Pra duhet të theksoj se takimi ishte një përpjekje dhe nuk mund ta mohoj. Për të gjetur një ujdi, palët shprehën qartë qëndrimet e tyre, shprehen qartë pikëpamjet sesi mendojnë ata se mund të arrihet ujdia”, tha Berisha.
Duke iu referuar raundit të dytë të votimit, i cili u ezaurua pa kandidat, shefi i qeverisë tha se shpreson në raundin e tretë një votim konsensual.
“Sot shqiptarët prisnin votimin. Nuk ndodhi.  Po vjen dhe raundi i tretë, uroj që të votojmë sëbashku në raundin e tretë kandidaturën më të mirë. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të përpiqemi për mirëkuptimin më të gjerë të mundshëm, sikundër dhe një vetëdije e thellë për çdo qytetar, për çdo politikan ekziston, se Kryetari i Shtetit duhet të ketë integritetin, dhuntinë dhe të gjithë vetitë dhe aftësitë për ta përfaqësuar me dinjitet sa më të madh vendin dhe kombin e  tij, dhe të tillë Shqipëri ka. Ndaj dhe duke i shprehur mbështetjen e  plotë kandidatit të përzgjedhur ftojmë opozitën të shqyrtojë kandidatin, sikundër e ftoj të paraqesë kandidatin e vet dhe të angazhohemi në një proces konsultimesh civile, të përgjegjshme në interes të procesit dhe të vendit”, tha më tej kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›