Siguria në vend, sot opozita në protestë
TIRANË- Do të jetë një protestë pa flamuj partish. Por nuk do të jetë as miting heshtjeje. Partia Socialiste e Tiranës po bën përgatitjet e fundit për të organizuar një protestë paqësore, të paralajmëruar sot në orën 18.00, në Sheshin “Skënderbej”. Një protestë për të cilën zyrtarët më të lartë të Partisë Socialiste prej ditësh kanë bërë thirrje që t’i bashkohen të gjithë qytetarët. Protesta e organizuar për situatën e sigurisë dhe drejtësisë në vend, pritet që të shoqërohet me itinerarin e zakonshëm që opozita ndjek në kësi rastesh. Kështu PS, bashkë më drejtuesit e partive aleate, pritet që të mbajnë nga një fjalim të shkurtër në Sheshin “Skënderbej” . Më pas, bashkë me protestuesit, ata do të drejtohen drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për të qëndruar për disa minuta përballë selisë së Kryeministrisë. Plot katër ditë më parë, kryetari i PS-së, Edi Rama, ftoi përmes një konference për shtyp të gjithë qytetarët që të dalin në një protestë paqësore për të manifestuar në një zë të vetëm, nevojën jetike të të gjitha familjeve shqiptare për siguri dhe drejtësi. Rama e bëri këtë ftesë, duke kërkuar zbardhjen e së vërtetës jo vetëm për tragjedinë e 15 Marsit në Gërdec, por edhe për vdekjen e dëshmitarit kyç të trafikut të armëve, Kosta Trebicka.