BB: Të reduktohet varfëria, ulen kostot e telefonisë dhe shërbimeve
Banka Botërore iu ka kërkuar vendeve të Ballkanit Perëndimor të forcojnë punën për integrimin në Bashkimin Europian dhe për integrim më të mirë të tyre, duke zhvilluar kapitalin njerëzor, duke ulur kostot e telekomunikacionit dhe duke investuar në energji, në mënyrë që të mbështesin më shumë rritjen ekonomike. Sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore, integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe rritja e tyre ekonomike është një çelës për Europën Lindore dhe përfshin vende të cilat kanë një shkallë të ndryshme qasjeje ndaj BE-së, ku Kroacia dhe Maqedonia janë kandidate për në BE, Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi kanë nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, ndërsa Bosnja ka nisur negociatat dhe do ta nënshkruajë marrëveshjen në mes të korrikut. Dhjetë vitet e fundit dhe sidomos pesë vitet e fundit kanë qenë të mira për këto vende, sipas raportit të Bankës Botërore. Megjithatë, studimi i saj thotë se këto vende kanë nevojë të mbështesin rritjen ekonomike dhe të punojnë fort për të reduktuar varfërinë, teksa sfidat e ambientit të jashtëm janë të mëdha. Raporti thotë se, sektori privat është ai që mund ta përshpejtojë rritjen ekonomike dhe duhet përkrahur. “Duke u fokusuar në rritjen ekonomike afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, objektivi i këtij raporti është të bëjë më të kuptueshëm integrimin e thellë mes vetë vendeve të rajonit dhe mes tyre dhe BE-së në lidhje me rritjen e tyre ekonomike. Studimi rekomandon përparësitë e mundshme sipas vendeve, në mënyrë që ato të jenë të zonjat të përshpejtojnë rritjen e eksporteve dhe rritjen ekonomike”, - thotë Sanjay Kathurai, drejtuesi ekonomik i Bankës Botërore dhe autor i raportit. Kathurai shton se, “justifikimi i fortë ekonomik për integrim brenda Ballkanit Perëndimor do të ndihmojë edhe në stabilitetin rajonal.” Raporti i Bankës Botërore thotë se, këto vende kanë nevojë urgjente të bëjnë tregjet më konkurruese dhe të reduktojnë shumë shpejt kostot e shërbimeve. Kjo do të ndihmojë të kapërcehen disavantazhet e të qenit vend i vogël, do të tërheqë investimet e huaja dhe do t’i afrojë më shumë këto vende me Bashkimin Europian. Raporti tërheq vëmendjen për zhvillimin e kapitalit njerëzor, si thelbi i strategjive të vendeve të rajonit, në mënyrë që të përmirësohet produktiviteti dhe të ndihmohet në kapërcimin e predominimit të përmbajtjes së aftësive të ulëta në eksporte, si dhe për të tërhequr më shumë investime të huaja direkte. Gjithashtu, BB thotë se është e nevojshme të ulen kostot e telekomunikacionit, të cilat do të përmirësonin konkurrencën, do të kompensonin disavantazhet e shoqëruara me tregje të vegjël individualë dhe do të lehtësonin integrimin rajonal. Edhe mungesa e energjisë elektrike është një problem që duhet të përfundojë, thotë raporti i BB-së, sepse ka ndikuar negativisht dhe mund të ndikojë po ashtu negativisht në investimet vendase dhe të huaja.