Konflikti Berisha-Topi dhe rreziku i degradimit të shtetit
Por, problemin nuk e kam te fati i Mal Berishës, por te fati i shtetit shqiptar. Konflikti i qartë dhe i ashpër mes presidentit, Bamir Topi dhe kryeministrit, Sali Berisha, tashmë rrezikon të bllokojë çdo qelizë të funksionimit normal të shtetit, pasi çdo njeri do të kalojë në sitë, duke u verifikuar, nëse është me Berishën ose me Topin. Nëse veprohet me këtë frymë, shumë institucione të shtetit shqiptar, që kërkojnë një pëlqim dypalësh prej kryeministrit dhe presidentit, do të bllokohen. Me këtë logjikë mund të bllokohet emërimi i diplomatëve, i zyrtarëve të lartë, i krerëve të institucioneve të sigurisë kombëtare si SHISH etj. Nëse ky rivalitet kthehet në betejë për ngastra në shtet, atëherë shteti merr fund. Rasti i mosfirmosjes së dekretit për emërimin e një ambasadori vetëm pse ka mbiemrin Berisha, lë shije të hidhur. Mund të mos jetë kjo arsyeja reale. Mundet që zoti Topi të ketë indikacione të tjera negative kundër tij nga ministri i Jashtëm për shkak të meskiniteteve të tij, por perceptimi publik është se ai e bllokon emërimin e këtij diplomati vetëm për shkak të mbiemrit. Kjo është e rëndë. Është e rëndë, pasi të tjerë që janë emëruar dhe dekretuar prej tij, janë shumë herë më të afërt politikisht dhe “ushtarakisht” me Berishën, por mund t’i kenë paraqitur për shkak të anonimitetit të tyre të njëjtën devotshmëri dhe zotit Topi. Ata nuk e kanë mbiemrin Berisha dhe e kanë hedhur lumin. Por kjo është një kambanë alarmi për shtetin shqiptar. Madje, për shkak të mbiemrit, dhe sikur të ishte nip i Sali Berishës, ky duhet të dekretohej për të mos e personalizuar rivalitetin mes dy institucioneve në emra konkretë. Ky është një lajm i keq për të ardhmen e institucioneve dhe degradimin e shtetit. Rruga sesi emërohet një ambasador, një gjykatës i lartë, një prokuror apo një kryetar agjencie, është e përshkruar në ligj dhe jo në kanun. Hakmarrja nuk është kod legjitim në politikën shqiptare, edhe pse vepron dhe vret çdo ditë shpresat e shqiptarëve për një shtet modern. Hakmarrja e Sali Berishës ndaj kundërshtarëve nuk duhet të pasohet nga gjeste analoge prej presidentit apo dhe kundërshtarëve të tjerë të tij. Le t’i ngelet Berishës hakmarrja si identitet politik. Opozita më e mirë ndaj Berishës është të mos bësh betejë me rregullat e luftës së tij, por t’iu japësh njerëzve shpresë se askush nuk do të të vlerësojë në këtë vend për shkak të mbiemrit apo lidhjeve personale. Ky është i vetmi lajm i mirë që mund të na jap shpresa të bëjmë shtet modern dhe jo politikë tribale.