E Shtunë, 31 Tetor 2026

52 milionë USD për të vrarët e Gërdecit

Eduard Zaloshnja 

Kryeministri Berisha, fill pas tragjedisë së Gërdecit, deklaroi se qeveria e tij do i mbulonte financiarisht të gjithë dëmet e shkaktuara nga ajo tragjedi. Që nga ajo kohë, disa shuma u janë shpërndarë të dëmtuarve, disa shtëpi janë rregulluar dhe shumë të plagosur janë shëruar me shpenzimet e qeverisë. Por shumë nga të dëmtuarit e asaj zone kanë ankesa (madje disa prej tyre kanë hyrë edhe në grevë urie) për masën e dëmshpërblimit apo zvarritjet në rindërtimin e jetëve të tyre. Ndërkohë, pakkush kujtohet se në Gërdec humbën jetën 26 njerëz. Dhe ata, përtej vlerës së pazëvendësueshme si qenie njerëzore, kishin edhe një vlerë të madhe ekonomike për familjet e tyre. Dikush nga viktimat ishte babai ose nëna që mbante në këmbë shtëpinë, dikush ishte djali apo vajza që kontribuonte me punën e vet në buxhetin e familjes, e që do kujdesej eventualisht për prindërit, dhe dikush ishte një fëmijë që nesër do bëhej një anëtar produktiv i shoqërisë. 

Të gjithë këto vlera ekonomike të humbura bashkë me jetët që u mbyllën tragjikisht në Gërdec, ashtu si shtëpitë e dëmtuara apo njerëzit e plagosur, duhen dëmshpërblyer nga qeveria. Në shkencën ekonomike, këto vlera përmblidhen me termin Vlerë Statistikore e Jetës, ose ndryshe VSJ. Nga një studim që kam kryer kohët e fundit (që pritet të botohet së shpejti në revistën shkencore Review of Law & Economics), rezulton se gjykatat amerikane, nëpërmjet vendimeve të tyre për aksidentet automobilistike ku fajtor ka qenë një shofer i dehur, kanë përdorur një vlerë implicite për VSJ-në në nivelin 4.2 milionë dollarë (e shprehur me vlerën e dollarit në vitin 2005). Ndërsa në analizat ekonomike të aksidenteve automobilistike, Ministria Amerikane e Transporteve përdor aktualisht për VSJ-në një shifër prej 5.5 milionë dollarësh.

Dhe pyetja është se sa do ishte një nivel i arsyeshëm për VSJ-në në Shqipëri, ku niveli i të ardhurave për frymë është më i ulët se në SHBA. Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, vjen në ndihmë një studim i Universitetit të Harvardit, i kryer nga W. Kip Viscusi dhe Joseph E. Aldy. Në këtë studim bëhet një meta-analizë e studimeve të kryera në shumë vende të botës rreth VSJ-së. Me synimin që të gjejnë një koeficient konvertimi të VSJ-së për vende nga më të ndryshmet për sa i përket Prodhimit të Përgjithshëm Bruto për frymë, autorët kanë përfshirë në studimin e tyre edhe vende të pasura, edhe vende të varfra. Nga analiza e tyre ata kanë gjetur se elasticiteti i VSJ në lidhje me Prodhimin e Përgjithshëm Bruto për frymë është në kufijtë 0.50-0.60. Kjo do të thotë se po të jetë ky prodhim për frymë 100 dollarë më i ulët në një vend, VSJ-ja në të zbret me 5000-6000 dollarë.

Duke patur parasysh nivelin e VSJ-së të trupëzuar në vendimet e gjykatave amerikane për aksidentet automobilistike, ku fajtor ka qenë një shofer i dehur, si dhe elasticitetin e vlerësuar nga studimi i Harvardit, VSJ-ja për Shqipërinë mund të llogaritet si vijon. Fillimisht, niveli 4.2 milionë dollarë i VSJ-së amerikane konvertohet në dollarët e sotëm (krahasimisht me të 2005-ës) në shumën 4.5 milionë dollarë. Më tej llogaritet diferenca e të ardhura për frymë midis SHBA-së dhe Shqipërisë. Sipas të dhënave në faqen e internetit të CIA-s amerikane, Produkti i Përgjithshëm Bruto në Shqipëri, bazuar në fuqinë blerëse të lekut, është 5500 dollarë për frymë. Ndërsa në SHBA është 46.000. Pra një diferencë prej 40.500 dollarësh. Që do të thotë se VSJ-ja në Shqipëri duhet të jetë 2.03 - 2.43 milionë dollarë më e ulët se sa në SHBA. Në qoftë se përdorim vlerën më konservative, dhe duke rrumbullakosur, mund të konkludojmë se vlera e një jete të humbur në Shqipëri është në nivelin 2 milionë dollarë.

Duke u kthyer te 26 viktimat e Gërdecit, një gjykatë e paanshme do duhej t’i caktonte një faturë prej 52 milionë dollarësh shtetit shqiptar dhe pronarit të “Albdemil”, për të dëmshpërblyer të afërmit e viktimave. Kjo nuk do u kthente atyre të dashurit e humbur, por të paktën ata do fitonin sensin e drejtësisë së vënë në vend, si dhe një siguri financiare për të ardhmen e tyre keqazi të tronditur. 

Le të shpresojmë se puna nuk do shkojë deri në gjykatë....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›