E Diel, 1 Nëntor 2026

BBC dokumenton sulmin me gaz në Siri

Një korrespondent i BBC-së në Siri ka mbledhur ne qytetin verior Saraqeb dëshmi të një sulmi kimik të ndodhur muajin e kaluar në këtë zonë.

Dëshmitarët rrëfyen se si helikopterë të forcave qeveritare kanë lëshuar të paktën dy pajisje që përmbanin gaz helmues. Damasku, ndërkaq, vazhdon t'i mohojë pretendimet e përdorimit të agjentëve kimikë, që për Shtetet e Bashkuara do të përbente shkeljen e “vijës së kuqe” për ndërhyrje të mundshme ushtarake.

“Ishte e tmerrshme, një erë mbytëse. Nuk merrje dot frymë. Të duket sikur kishe vdekur. Nuk shihje dot asgjë. Nuk kam parë për tre apo katër ditë me radhë”, rrëfeu Mohamed Khatib, nëna e të cilit, Mariam, ndërroi jetë, me gjasë si pasojë e sulmit me armë kimike.

Saraqebi, në jugperëndim të Halebit, u bombardua nga forcat qeveritare në muajin prill, e gjate kësaj periudhe mjeket në spitalin e zonës, siç pohuan dhe vetë për BBC-në, kanë shtruar 8 persona me probleme të rënda të frymëmarrjes, transmeton Top-Channel.

Hamish de Bretton-Gordon, ish-komandant i regjimentit kimik, biologjik e bërthamor britanik, i cilëson dëshmitë dhe provat nga Saraqebi të forta, por të paplota.

“Në Siri gjatë javëve të fundit njerëzit janë sëmurë e kanë ndërruar jetë me simptoma që mund të jenë pasojë e ndonjë gazi nervor si sarini apo pentakloruri i fosforit”, eshte shprehur ai.

Si SHBA-ja, ashtu edhe Britania e Madhe flasin për të dhëna në rritje mbi përdorimin e armëve kimike në Siri, por presidenti amerikan Obama është treguar i kujdesshëm, duke pohuar se provat ekzistuese nuk janë të mjaftueshme./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›