E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suedia e sheh Kosovën si kandidate për anëtarësim të plotë në BE

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, po qëndron për vizitë zyrtare në Suedi. Gjatë qëndrimit në Stokholm, Selimi u prit nga nivelet më të larta suedeze në Qeveri, Parlament dhe u takua me përfaqësues të shoqërisë civile.

Gjatë programit intensiv dy ditor, zëvendësministri Selimi i shoqëruar nga ambasadori, Lulzim Peci dhe këshilltari, Pëllumb Kallaba, u takua me Ministren e Çështjeve Evropiane, Birgitta Ohlson.

Ministrja Ohlson e uroi Zëvendësministrin Selimi për suksesin e madh në proceset e integrimeve euro-atlantike në muajt e fundit dhe premtoi ndihmën suedeze në arritjen e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim.

Ohlson po ashtu deklaroi se përkundër klimës momentale populliste në shumë pjesë të Evropës kundër zgjerimit, Suedia mbetet besnike e procesit të zgjerimit dhe e sheh Kosovën si kandidate të ardhshme për anëtarësi të plotë në BE.

Selimi deklaroi gatishmërinë e Kosovës për t’i marrë obligimet e dala nga marrëveshja, përfshirë krijimin e kornizave demokratike në veri përmes zgjedhjeve dhe integrimin e popullatës në sistemin kosovar të qeverisjes.

Zëvendësministri Selimi, gjatë vizitës në Suedi, u takua edhe me nivele të larta diplomatike dhe ushtarake: drejtorin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, Bjorn Lyrvall, sekretarin e Mbrojtjes, Carl von der Esch dhe drejtoreshën e Përgjithshme të Organizatës për Zhvillim Ndërkombëtar, Ann-Sofie Nilsson.

Nilsson, e cila ka shërbyer si diplomate në Kosovë gjatë pavarësimit të vendit shprehu kënaqësi me punën e Ministrisë së Jashtme të Kosovës dhe premtoi ndihmë dhe angazhim konkret në fushat me interes të përbashkët.

Sekretari Carl van der Esch njoftoi Selimin për veprimet strategjike të Suedisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë si dhe siguroi për ndihmën e ushtrisë suedeze në proceset e reformimit të sektorit të sigurisë në kuadër të NATO-s.

Zëvendësministri Selimi u takua edhe në Parlamentin Suedez me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit, i udhëhequr nga liderja e pozitës, Sofia Arkelsten dhe nënkryetari socialist i opozitës, Urban Ahlin.

Gjatë qëndrimit në Suedi, Selimi u ftua edhe për një ligjëratë në Institutin prestigjioz të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, ku morën pjesë mbi 70 diplomatë dhe hulumtues.

Numri dy i diplomacisë kosovare u takua edhe me udhëheqës të Fondacionit Hjalmarson dhe drejtuesit e Institutit të Stokholmit për Hulumtime Paqësore, SIPRI./ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›