BB:Ekonomia globale do të tkurret gjatë 2009-ës

Banka Botërore bën të ditur se ekonomia botërore mund të tkurret në vitin 2009, për herë të parë që pas Luftës së Dytë Botërore ndërsa informon se tregjet e aksioneve thuajse çdo ditë mbyllen me humbje. Në një studim të publikuar të dielën, Banka informon se pritet gjithashtu që tregtia botërore të pakësohet më tepër se asnjëherë në 80 vitet e fundit dhe humbjet më të mëdha do t'i pësojë në Azi. Në raportin më të fundit të Bankës thuhet se kriza financiare globale do të krijojë një mungesë financimesh prej shumë miliarda dollarësh për të varfërit dhe vendet në zhvillim. Banka botërore thotë se vetëm një në 4 vende në zhvillim do të jetë në gjendje ta lehtësojë ndikimin e rënies ekonomike përmes krijimit të vendeve të punës. Sipas Bankës Botërore, prodhimi global industrial mund të jetë 15 për qind më i vogël në vitin 2009 se sa në vitin 2008.
Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellick bëri thirrje për investime për krijimin e vendeve të punës dhe për të shmangur trazirat sociale dhe politike në vende të ndryshme. Sipas bankës behet e ditur se vendet në zhvillimin ndeshen me një pakësim të financimeve prej 200 deri në 700 miliardë dollarësh, sepse udhëheqësit e biznesit po i shmangin tregjet e reja që po fuqizohen. Vendet në zhvillim, që ende mund të kenë kontakte me tregjet financiare do të ndeshen me kosto më të madhe në marrjen e huave, gjë që sjell një rritje më të ngadalshme ekonomike.
Justin Lin, krye-ekonomisti i Bankës Botërore, i bëri thirrje vendeve të zhvilluara t'i shpenzojnë një pjesë të fondeve të tyre të stimujve në vendet më të varfëra, ku do të kishin rezultat për të nxitur rritjen e kërkesës. Ndërsa Laërence Summers, këshilltari kryesor ekonomik i presidentit Obama, në një intervistë të publikuar në gazetën "Financial Times", i bën thirrje udhëheqësve botërorë të hedhin më tepër para në ekonominë botërore, për të nxitur rritjen e kërkesës dhe për nxjerrjen e botës nga recesioni