E Diel, 1 Nëntor 2026

BDI mohon opsionin e zgjedhjeve: Krizat kërkojnë zgjidhje!

A po shkon vendi drejt zgjedhjeve të parakohshme, është dilema që aktualizohet kohë pas kohe muajve të fundit. Kontestet e shumta të pazgjidhura, rekomandimet e BE-së të paplotësuara nga ana e qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe partia e tij VMRO DPMNE, si duket nuk janë më të rëndësishme, ndërsa mendohet vetëm edhe për një mandat tjetër.

Krahas takimit të djeshëm me liderin kundërshtar Zoran Zaev, kryeministri Gruevski vlerësoi se nëse nuk gjendet zgjidhje për Komisionin hetimor të ngjarjeve të “24 dhjetorit” do të përdor strategji të re.

Ai nuk ka precizuar se çfarë do të përbënte kjo strategji, por kjo lë të nënkuptohet se vendi në një kohë të afërt mund të përballet me zgjedhje të parakohshme. Ekspertët pohojnë se zgjedhje të parakohshme në pranverë do ketë, ndoshta edhe më herët.

Sipas tyre, madje dy partnerët e koalicionit VMRO e BDI do të “aktrojnë” mospajtime rreth kontestit të emrit dhe se kjo do ishte shkas për shpalljen e zgjedhjeve.

Në lidhje me këtë nga selia e BDI-së theksojnë se këto janë vetëm spekulime mediatike dhe që qëndrimi i BDI-së është i njohur që zgjedhjet nuk janë zgjidhje.

“Tek BDI jemi shumë të përqendruar rreth arritjes së konsensusit për çështje të rëndësishme nga të cilat varet e ardhmja e vendit, siç janë arritja e kompromisit me fqinjin jugor Greqinë mbi emrin e vendit, integrimin në NATO dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. E kemi thënë edhe më herët që zgjedhjet nuk janë zgjidhje, por përkundrazi, ky vend ka nevojë për stabilitet politik dhe vendime të guximshme që do ta sigurojnë ardhmërinë e pacenuar të këtij vendi në marrëdhënie të mira ne të gjithë fqinjët”, thotë Artan Grubi, shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti.

Edhe nga tabori i LSDM-së theksohet që pushteti në vazhdimësi aktualizon mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, por që LSDM si parti serioze gjithnjë është e përgatitur për to.

“LSDM në përgjithësi ka respektuar obligimet e marra nga marrëveshja e 1 marsit, ku përveç tjerash ne morëm edhe vendimin që deputetët e partisë sonë, pa marrë parasysh punën e Komisionit dhe rezultatet që dalin nga ajo, në interes të qytetarëve të këtij vendi, të kthehen në institucionet shtetërore. Pra shikuar nga ana jonë ne në tërësi e kemi respektuar këtë marrëveshje, kurse VMRO DPMNE dhe kryetari Gjorgje Ivanov do të duhet të ndërmarrin hapat e mëtejmë për riaktivizimin e funksionimit të komisionit”, thotë zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›