E Shtunë, 31 Tetor 2026

VV: Ja premtimet e pambajtura të Sokol Bashotës

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Klinë organizoi aksion simbolik në të cilin paraqiti premtimet e pambajtura të kryetarit të kësaj komune, Sokol Bashota.

“Ua rikujtojmë qytetarëve të Klinës premtimet e parealizuara nga pushteti i tashëm dhe u tërheqim vëmendjen atyre që të mos bien në lajthitje me ngutinë e pushtetit aktual për të realizuar disa projekte kohëve të fundit me çdo kusht. Qytetarët kohëve të fundit po testohen për mbamendje duke realizuar disa copëza projektesh në kohë parafushate përderisa qytetarët e mbajnë mend mirë se çfarë nuk është realizuar për 4 vite nuk mund të realizohet për 2-3 muaj”, tha kandidati i VV-së për kryetar të Klinës Hajzer Idrizi.

Sipas VV-së, gjatë 4 viteve të mandatit të tij kryetari i Klinës nuk i ka pasur prioritet premtimet e dhëna si ai për ujin e pijshëm, shtëpinë e kulturës, palestrën sportive apo stacionin e autobusëve.

“Gjatë 4 viteve të mandatit të tij, kryetari i Klinës ka pasur prioritet vetëm akomodimin e vet dhe të miqve të tij, duke bërë keqpërdorimin e buxhetit komunal. Premtimi për Shtëpinë e Kulturës me 420 ulëse, dhoma përcjellëse, bibliotekë me 50 ulëse ka 4 vite që zvarritet dhe nuk është as për së afërmi Shtëpia e Kulturës që e meriton Komuna jonë. Kjo Shtëpi Kulture nuk ka përfunduar ende dhe ndodhet e fshehur pas një objekti afarist dhe nuk është në shërbim të qytetarëve”, ka thënë ai më tej.

VV po ashtu ka përmendur palestrën sportive e cila nuk është realizuar, stacionin e autobusëve, mosinvestimet në QKMF.

“Shumë projekte të ujësjellësit, kanalizimit, etj., janë jofunksionale dhe të papërdorshme ngaqë janë punuar shkel e shko dhe janë realizuar sipas standardeve të ulëta”, kanë cekur aktivistë të VV-së./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›