Shqipëria në BE, qeveria: 2 mijë lekë për faqe përkthyesve të pyetësorit
TIRANË- Qeveria ka miratuar dje vendimin për përcaktimin e procedurave të përkthimit të pyetësorit të Komisionit Europian, në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, përkthyesit që do të merren me këtë procedurë do të paguhen me 2 mijë lekë për përkthimin e një faqeje kompjuterike.
Do të jetë ministria e Integrimit ajo që do të organizojë procesin e përzgjedhjes së përkthyesve për përkthimin dhe rishikimin e përkthimit të pyetësorit të Bashkimit Europian.
Për këtë qëllim, Ministria e Integrimit ndjek këto procedura:
a) Shpall lajmërimin për përzgjedhjen e përkthyesve;
b) Përcakton kriteret për përzgjedhjen e tyre;
c) Përcakton numrin e përkthyesve, që do të përfshihen në këtë proces;
ç) Ndan punën, ndërmjet përkthyesve, sipas kapitujve/nënkapitujve të pyetësorit;
d) Kujdeset për unifikimin e terminologjisë, gjatë procesit të përkthimit.
Sipas vendimit të qeverisë, vlerësimi i kandidaturave bëhet nga një komision vlerësimi, i ngritur me urdhër të ministrit të Integrimit.
Ndërkohë që lista e përkthyesve të përzgjedhur miratohet nga ministri i Integrimit, me propozimin e komisionit të vlerësimit.
"Tarifa e shpërblimit për përkthimin dhe rishikimin e përkthimit për një faqe kompjuterike është 2 000 (dy mijë) lekë, sipas standardeve të miratuara nga ministri i Integrimit.Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2009, miratuar për Ministrinë e Integrimit"- thuhet në vendim.
*******
12 nentor
Bregu: Jemi gati për plotësimin e Pyetësorit të BE
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ka dhene nje konference per shtyp lidhur me përgatitjet për plotësimin e pyetësorit të Komisionit Europian
'Gjej rastin t'ju informoj se administrata shqiptare është gati për të plotësuar pyetësorin e Komisionit Evropian. Ministria e Integrimit ka përcaktuar planin e plotë të punës që përmban afatet dhe përgjegjësitë respektive të çdo institucioni lidhur me pyetësorin, - tha Bregu.
Sipas saj, në këtë proces janë përfshirë të gjitha ministritë, 13 institucione të pavarura duke përfshirë edhe Parlamentin. Duhet theksuar se institucionet në varësi të ministrive nuk janë llogaritur, d.m.th. Departamenti i Administratës Publike nuk është numëruar si institucion më vete, por si pjesë e Ministrisë së Brendshme. Ose, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konsiderohet si pjesë e Ministrisë së Drejtësisë. Numri i institucioneve që do të kontribuojnë në total do të jetë rreth 45. Ky numër mund të rritet edhe më tej si pjesë e procesit të parapërgatitjes për Pyetësorin.
Deri më tani janë identifikuar si pjesëmarrës në këtë proces 411 nëpunës civilë të të gjitha niveleve, numri i të cilëve do të vijë duke u rritur edhe më tej.
Koordinimi i këtij procesi do të bëhet nga zyrtarë të lartë, në nivel Ministrash, ndërkohë qe administrata do te jete e angazhuar me kohë pa limit deri në përgjigjen e plotë dhe me korrektësi të këtij pyetësori.
Fazat e procesit:
- Faza fillestare ajo e zbërthimit të pyetjeve e ndjekur nga
- Hartimi i përgjigjeve
- Analiza e tyre
- Hartimi i variantit final të përgjigjeve
- Përkthimi i centralizuar
- Miratimi i përgjigjeve
- Dorëzimi i përgjigjeve në Bruksel.
Ndërkaq, është riorganizuar e gjithë Ministria e Integrimit për koordinimin dhe monitorimin e këtij procesi, paralelisht me strukturat në misionin tonë në BE dhe delegacionin e KE-së në Tiranë.
Pyetje
A është përpiluar ndonjë draft për pyetësorin, sa pyetje do të përmbajë ai dhe cilat janë fushat ku do të adresohen shumica e pyetjeve të pyëtësorit?
Kemi një ide për pyetësorin, por jo një draft të plotë të tij, gjithsesi duke u bazuar në formatet e vendeve të tjera të rajonit, pyetjet fokusohen në kriterin politik dhe ekonomik, çka do të thotë se shumica e pyetjeve do të adresohen në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë. Institucionet që do të kenë ngarkesën më të madhe përsa i përket plotësimit të pyetjeve të kriterit politik, do të jenë ministria e drejtësisë dhe parlamenti, ndërsa përsa i përket kriterit ekonomik, ministria e ekonomisë dhe financave. Pritet që pyetësori të ketë mbi 2 mijë pyetje dhe mund t'ju garantoj se do të punohet me përgjegjshmëri dhe intensitet për të arritur cilësinë brenda një afati më të mirë të mundshëm.
Komisioneri për Zgjerimin Olli Rehn ka bërë dje një deklaratë, ndoshta nga më të fortat e bëra ndonjëherë nga BE-ja, ku i ka bërë thirrje opozitës të heqë dorë nga bojkoti. A prisni ndonjë reagim të shpejtë të opozitës pas kësaj deklarate?
Toni i ndërkombëtarëve në thirrjen e vazhdueshme që i bëjnë opozitës për të hyrë në Kuvend është në nivel "crescendo" (vjen duke u rritur"), kjo u duk edhe dje në deklaratën e z.Rehn gjatë konferencës për shtyp me ministrin e jashtëm Meta. Nuk mund të parashikoj reagimin e opozitës apo të them nëse ajo ndërrojë qëndrim sot ose nesër, e vetmja gjë që mund të them është se kreu i PS-së Rama po krijon një situatë anormale që startoi pas zgjedhjeve të 29 qershorit, kur idhnia e tij e humbjes së zgjedhjeve bëri që ai ta zgjedhë dhe përdorë bojkotin vetëm për arsye personale. Them për arsye personale, sepse çdo anëtar i Partisë Socialiste është i bindur që rruga e kryetarit të tyre, jo vetëm që s'ka gjasa t'i sjellë në pushtet, por s'po i lejon të bëjnë as opozitë.
Në këtë fazë të procesit ju nevojitet shtim i kapaciteteve administrative, për përkthyesit dhe pjesën e administratës që do të punojë pa orar. A do të gjejnë një përgjigje në buxhetin e 2010-ës kërkesat tuaja?
Buxheti është një çështje e diskutuar dhe sensitive për të gjithë ata që do të përfshihen në procesin e plotësimit të pyetësorit. Të ardhurat në buxhetin e 2010-ës do të rriten me 10.7%, ndërkohë që buxheti i Ministrisë së Integrimit për vitin 2010 do të jetë 296 milion lekë. Ky buxhet është 136 milion më shumë se buxheti i rishikuar i vitit 2009 ose 85% më shumë. Shtesa e këtij buxheti i referohet rritjes së kapaciteteve administrative të ministrisë sonë në përgjigjen e pyetësorit si prioriteti ynë për vitin në vijim.
A ka lidhje dorëzimi i pyetësorit me shqyrtimin e kërkesës për anëtarësim, pra a duhet të presim të shqyrtohet kërkesa dhe pastaj të marrin pyetësorin?
Po u shpjegoj procedurat: Marrja e statusit të vendit kandidat vjen pasi janë vlerësuar përgjigjet e pyetësorit. Këshilli i Ambasadorëve ka vendosur dje në mënyrë unanime që shqyrtimi i kërkesës për anëtërësim të Shqipërisë të kalojë në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave të BE-së. Kjo kërkesë do t'i kalojë më pas Komisionit për të përgatitur një opinion për vendin tonë, një vlerësim sesa Shqipëria ka përmbushur kriteret për të qenë vend kandidat. Besojmë se Shqipëria mund të jetë vend kandidat brenda vitit 2010.