Kanë mbaruar afate e gjykimit, Aldo Bare kërkon lirinë
Kërkesa
TIRANË- Vetëm pak ditë pas ekstradimit të Aldo Bares nga Turqia dhe pas seancës gjyqësore të verifikimit të masës së sigurisë "arrest me burg", avokati mbrojtës i zgjedhur nga vetë ish-kreu i "bandës" së Lushnjës, kërkoi nga gjykata shuarjen e masës së sigurisë ndaj tij.
Avokati Vladimir Meçe, paraditen e djeshme dorëzoi në kryesekretarinë e Gjykatës së Krimeve të Rënda kërkesën për shuarjen e masës së sigurisë ndaj klientit të tij Aldo Bare, masë kjo e caktuar në vitin 2006.
Sipas kërkesës së avokatit Meçe, afatet e kësaj mase sigurie janë shuar gjatë kohës që klienti i tij ndodhej i arrestuar në burgjet e Turqisë, në pritje të ekstradimit të tij.
"Që nga koha kur Aldo Bare u arrestua në Turqi, gjykata nuk i ka pezulluar afatet e paraburgimit, duke e mbajtur kështu Baren një vit tej afateve që parashikohen në ligj për masën e sigurisë "arrest me burg".
Afatet e paraburgimit i kanë përfunduar në vitin 2008, sepse edhe pse ai është arrestuar në Turqi, është mbajtur nën arrest për llogari të drejtësisë shqiptare, kështu që koha e mbajtjes në qeli konsiderohet afat paraburgimi"- thuhet në kërkesën e avokatit.
Pas depozitimit të kësaj kërkese, pritet që gjyqtari Klodian Kurushi, i cili ka caktuar masën e sigurisë ta shqyrtojë këtë kërkesë dhe të shprehet në lidhje me pretendimet e mbrojtjes për shuarjen e masës së sigurisë.
Vetë Bare ndodhet në paraburgimin "Jordan Misja" dhe pritet që shumë shpejt të dalë përsëri pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda ku do të fillojë procesi gjyqësor ndaj tij me kryesuesen e pesëshes gjykuese Fatmira Hajdari.
Sipas prokurorisë, Aldo Bare akuzohet për një sërë vrasjesh, rrëmbime personi, shkatërrim prone dhe krijim të organizatës kriminale, të cilën edhe e drejtonte gjatë viteve 1997-2006 në qytetin e Lushnjës.