Importi i energjisë, Braçe: Ina Rama nuk ka pse qëndron në detyrë
Deputeti Erion Braçe tha se dyshimet mbi importin e energjisë lidhen me mbajtjen në kuota të larta të ujit në HEC-et e Drinit. Braçe tha gjithashtu, se qeveria po kanalizon në llogarinë e saj buxhetore të gjithë dhurimet e qytetarëve
Socialistët vunë në dyshim dje aftësitë e Prokurorisë së Përgjithshme dhe kërkuan arsyet e qëndrimit në detyrë të shefes së akuzës, Ina Rama, nëse vërehet se faktet, sipas tyre, të shpërdorimit me energjinë, nuk kanë nxitur hetimin për të gjetur përgjegjësit. Mirëpo, dyshimet e deputetit Erion Braçes shtohen edhe me çështjen e ndihmave për banorët në zonat e përmbytura, që lidhen me “bashkimin” e fondeve të dhurimeve me fondet e qeverisë.
Energjia
Pesë herë i zgjedhur deputet për socialistët në kohërat e pushtetit dhe opozitë, Erion Braçe u citua dje nga rrjeti televiziv “Alsat” të ketë thënë, se asnjë arsye nuk shihet të jetë e qëndrueshme për të justifikuar heshtjen e kryeprokurores Ina Rama. Kjo është kërkim-llogaria e parë e drejtpërdrejtë ndaj Ina Ramës, që bëhet me diskutimin e postit që mban, qëkurse kryeshtetari Bamir Topi e emëroi pas largimit me komisionin e dytë hetimor kuvendar të paraardhësit të saj, Theodhori Sollaku. “Nëse Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, vazhdon të heshtë dhe të mos ndëshkojë, ajo nuk ka më arsye të qëndrojë në krye të organit të akuzës. Cili zyrtar i këtij shteti që nuk bën punën e tij, duhet të qëndrojë në detyrë?” - pyeti Braçe, pa lënë të errët përgjigjen që, sipas tij, shihet nga se një numër shkeljesh dëshmojnë për përgjegjësi të rëndë dhe serioze të zyrtarëve shtetarë me importimin e energjisë. Braçe iu referua atyre që i quajti fakte të pamohueshme që lidhen me importimin e energjisë nga Shqipëria në shtator, tetor, nëntor dhe dhjetor 2009, në sasi të mëdha, megjithëse sikurse u shpreh, uji në hidrocentralet e kaskadës së Drinit ishte në nivele maksimale. Ai ngarkoi me përgjegjësi për katastrofën në Shkodër kryekëput kryeshefin qeveritar, Sali Berishën. “Zona e Shkodrës dhe Nënshkodrës është përmbytur dhe është nën ujë, për shkak të shiut apo për shkak se janë hapur portat e hidrocentraleve. Nuk ka rënë në Shkodër shi i tillë, që të çojë ujin një metër e gjysmë, dy metra në zonën e Shkodrës. Në shtator, tetor, nëntor edhe dhjetor regjimi i importit që korporata (KESH) i ka diktuar kompanisë së shpërndarjes, OSSH-së, ka qenë thellësisht i fortë dhe në kundërshtim me rregullat e kontratës së privatizimit të OSSH-së. Ne dyshojmë shumë, që e gjitha kjo histori është bërë për të mbledhur ujë në hidrocentralet e kaskadës së Drinit dhe natyrisht për të shitur pastaj me çmim të shtrenjtë, pavarësisht se çfarë thotë budallai që drejton qeverinë e Shqipërisë”, - u citua Braçe nga i njëjti burim medial.
Fondet
Dyshimet e rritura të socialistëve në opozitë për herë të dytë në 2009 pas 2005-ës, ndonëse me vota më të shumta se të djathtët qendrorë të Berishës, kalojnë gjithashtu për atë që Braçe e quajti “vjedhje” të menaxhimit të fondeve të dhuruara nga bizneset dhe individët në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura. Sipas Braçes, kjo ishte një arsye e rëndësishme, që PS-ja të ngrinte strukturat ndihmëse në të gjithë zonën e Nënshkodrës. Braçe ironizoi veprimet dhe ndërlidhi dyshimet, duke iu referuar porosive të banorëve për foragjere që kërkoheshin nga autoritetet për ushqim për ta. Braçe përmendi një kronikë mediale, ku për këtë çështje paraqitej kryesuesi i Komitetit Ndërministror të Emergjencës, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. “Më lejoni t’i referohem kronikës që pashë dje (pardje). Në mënyrë të pashembullt pashë atë që drejton shtabin, heroin e ri të qeverisë së djathtë të zotit Sali Berisha që, kur banori i kërkonte ushqim për bagëtinë, porosiste me telefon të sillnin ushqim për banorin”, - tha ai. Sipas Braçes, është e qartë se gjendja me fondet po i ngjan rastit të Gërdecit. “Në tragjedinë e Gërdecit ne pamë me shqetësim shumë të madh pikërisht sjelljen e qeverisë jo vetëm në kompensim të dëmeve, por edhe në abuzimin skandaloz që bëri me donacionet e qytetarëve apo të bizneseve. I mori dhe i kanalizoi në llogarinë e saj buxhetore. Kjo nuk mund të ndodhë më. Kjo po ndodh edhe tani. Qeveria po kanalizon në llogarinë e saj buxhetore të gjithë donacionet e qytetarëve. Ato janë kontribute të drejtpërdrejta të qytetarëve për banorët e asaj zone. Qeveria nuk mund t’i marrë këto para dhe t’i fusë në fondin e kompensimit. është vjedhje”, - tha deputeti socialist. Ai vërejti gjithaq, se qytetarët e Shkodrës duhet ta dinë që kontributi i çdokujt nuk është kontribut për qeverinë e vendit. “Qeverisë së këtij vendi ne i kemi besuar paratë e taksave tona, që tani duhet të kenë një rishpërndarje të re përmes buxhetit të shtetit”, - përfundoi Braçe.
Dorëheqja e Priftit
Xhaçka: Populli refuzon qeverinë e votave të vjedhura
Partia Socialiste refuzoi të pranojë qëndrimin e ministrit Dritan Prifti, se nuk tërhiqet nga detyra, për shkak të menaxhimit të HEC-eve, veçse nëse ia kërkon shefi i qeverisë apo i forcës së tij politike në koalicion pas 28 qershorit të shkuar. Përballë atij që deputetja Olta Xhaçka e quajti “fakt të turpshëm”, ndërsa ministri Prifti kur pritej të jepte dorëheqjen apo largimi nga posti qeveritar, “reagoi me cinizëm, duke theksuar se të drejtën morale dhe ligjore për shkarkimin e tij e kanë vetëm dy emra: Sali Berisha e Ilir Meta”. Deputetja iu drejtua ministrit të Energjetikës, duke i thënë: “Jo, zotëri, nuk ta kërkon Sali Berisha dorëheqjen, se ai është përgjegjësi kryesor i kësaj katastrofe që përmbyti veriun, shkatërroi shtëpi, toka, të mbjella e bagëti”, por se, sipas saj, “është një popull i tërë, i cili refuzon të drejtohet nga qeveria e votave të vjedhura, e cila në këtë vit të ri nuk di të sjellë asgjë tjetër, përveçse fatkeqësi”. Deputetja tha se mospërfillja e ministrit për pezmatimin e thellë mbi menaxhimin e gjendjes ishte i paprecedentë. Deputetja socialiste rikujtoi se ministri Prifti vijoi “udhëtimin e tij pesëditor në Turqi”, ndërsa vendit i “kanosej katastrofa”. Deputetja tha se teksa niveli i ujit në kaskadën e lumit Drin, në hidrocentralet e vendit, tejkalonte nivelin dhe normat maksimale të lejuara dhe teksa përgatitej hapja e portave për shkarkimin e ujit, që në mënyrë të paevitueshme do të sillte përmbytjen e veriut të vendit, “pikërisht në këto momente njeriu përgjegjës për menaxhimin e kësaj situate zgjodhi të braktiste detyrën dhe të shkonte për pushime”. Sipas Olta Xhaçkës, PS-ja është e brengosur, ngase ministri, sikurse u shpreh, “shijonte fundjavën e luksit”, në një kohë që banorët përballeshin me “fundjavën e tmerrit”.
Ministri Olldashi:
“Berisha nuk tha se jemi në katastrofë, por në prag katastrofe”
Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, saktësoi mbrëmë deklaratën e kryeqeveritarit Sali Berisha mbi gjendjen në Shkodër në ditët e para të përmbytjeve. Ministri tha se “Berisha nuk ka deklaruar se jemi në katastrofë, por tha se jemi në prag katastrofe”. Ai shtoi se “më e keqja ishte ajo që mund të ndodhte”. “Nuk ka asgjë të vërtetë se Shtabi i Emergjencës nuk është transparent. Dy herë në ditë janë lëshuar deklarata publike nga Shtabi i Emergjencës, për të informuar në mënyrë më transparente për zonën e përmbytur. Nuk është e vërtetë që kjo është përmbytja më e madhe që ka ndodhur në Shkodër, sepse më e madhja ka qenë ajo e vitit 1963, kur HEC-et nuk ekzistonin” u citua të ketë thënë Olldashi në emisionin “Top Story” në rrjetin televiziv “Top Channel”. Ministri Olldashi tha gjithashtu, se gjendja është përmirësuar ndjeshëm në Shkodër pas përmbytjeve të dy javëve të para të këtij fillimviti. “Statistikat flasin për 2.100 ha të çliruara nga uji sot (dje), ndërsa 9.340 ha vazhdojnë të jenë nën ujë. Janë liruar 540 shtëpi që ishin të rrethuara nga uji. Aksi nacional Tiranë-Shkodër që lidhet me disa nga komunat është çliruar. Dy akset e Velipojës janë të bllokuara, shkarkimet janë kthyer në normalitet, ndërkohë që nga mesnata e para dy netëve, Buna është kthyer në situatë normale”, - tha Olldashi. Po sipas këtij burimi, Olldashi shtoi gjithashtu, se situata në Shkodër është më e mirë se sa në disa komuna. “Ende ka një prezence uji në shëtitoren gjatë rrjedhjes së Bunës, por është situatë shumë më e mirë. Mund të quhet e kapërcyer faza e emergjencës, që kishte lidhje me evakuimin. Furnizimi i të gjithë banorëve me të gjithë mjetet e nevojshme është prioriteti kryesor. Nuk ka pasur asnjë vonesë në reagime”, vijoi Olldashi. Ai veçoi ndërkaq ndihmën që iu dha vendit nga fqinjët në operacionet në terren, ku veç trupave shqiptare, janë angazhuar efektiva nga shteti maqedonas, Kosova, Greqia dhe Sllovakia. Mandej, ai nuk vërejti përgjegjësi, sikundër thotë opozita socialiste, të ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti, mbi shkaqet e përmbytjeve, sepse lidhen me gjendjen ujore të liqeneve të hidrocentraleve mbi Drin, përkatësisht Fierzë, Koman e Vaun e Dejës. Olldashi i bëri komentet gjithashtu lidhur me akuzat opozitare, se ministri Prifti ishte larguar nga vendi më 31 dhjetor. Sipas Olldashit, edhe ministri si çdo qenie humane “ka të drejtë të festojë me familjen e tij”. “Përtej kësaj nuk shikoj asnjë pasojë te ky fakt, sepse hapja e portave nuk është në kompetencën e Priftit. Ka një rregullore të vitit 1988, që përcakton sesi bëhet shkarkimi i ujit. Shkarkimet do të kishin qenë po ato edhe nëse Dritan Prifti do të kishte qenë në hidrocentrale”, tha ministri Olldashi.
Qëndrimi
Beqja: Do të hynim në Kuvend, po të kishte seancë të jashtëzakonshme
Deputeti Ilir Beqja tha mbrëmë, se Partia Socialiste do të ishte futur në Kuvend, në rast se të mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme për gjendjen e krijuar nga përmbytjet e këtij fillimjanari. Fitues më 28 qershor 2009 si bartës i listës së deputetëve socialistë në Qarkun e përmbytur të Shkodrës, Beqja dëshmoi angazhimin e partisë së tij opozitare për të qenë e gatshme në diskutimin mbi gjendjen e krijuar. Beqja foli mbrëmë në emisionin “Top Story” në televizionin “Top Channel”. Ai kritikoi punën e pushtetmbajtësve për ato që i konsideroi si “operacione të organizuara nga qeveria për t’iu ardhur në ndihmë banorëve kanë qenë të ngadalta”. “Ka ngadalësi në shpërndarjen e ndihmave dhe ngadalësi në të gjithë këtë situatë, pasi nuk ka përputhje mes trupave të dislokuara dhe pushtetarëve. Situata po vjen duke u vështirësuar. Njerëzve përveç pakove të ndihmës, u duhet një jetesë minimale, atyre u duhet dhënë sa më parë një mbështetje financiare, për të plotësuar kushtet minimale”, - tha ai. Sipas Beqjes, duhet thënë dhe pranuar se përgjegjësinë për gjendjen e ka qeveria e kryeministrit Sali Berisha dhe se nuk qëndrojnë assesi justifikimet e pushtetarëve për kushtet e motit të lig, pasi “katastrofa që përfshiu qytetin verior nuk ka ardhur nga fatkeqësia natyrore”. “Qeverisë iu desh shumë kohë për të vlerësuar përmasat reale të kësaj fatkeqësie të organizuar nga dora e shtetit. Vetëm pas 10 ditësh mati se ishin 11 mijë hektarë nën ujë. Sidoqoftë, nga situata në terren, realiteti nuk duket ashtu siç pretendon qeveria”, - tha Beqja. Ai theksoi se qeveria përveçse ka shkaktuar përmbytjen, ka reaguar me vonesë ndaj katastrofës dhe ka pasqyruar një realitet ndryshe. “Ka fshatra që janë 100 për qind nën ujë, në thellësi të ndjeshme që bëjnë të vështirë komunikimin. Po ashtu, në qytet, vetëm të dielën uji hyri në lagjen “Xhabije” dhe akoma ka ujë edhe sot. Kushtet e jetesës janë të pamundura”, - tha socialisti Beqja. Sipas tij, deputetët e partisë më të madhe në vend po qëndrojnë dita-ditës që prej datës 2 të këtij viti të ri në zonën e përmbytur për t’u ardhur në ndihmë banorëve për të kaluar sa më shpejt këtë situatë që ia bëri keqqeverisja dhe jo “për të bërë garë me njëri-tjetrin”.