Berisha: Do të bëjmë zgjedhje me standardet e NATO-s
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti gjithashtu, në një konferencë të posaçme për shtyp, dyvjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë
Krerët e lartë të shtetit shqiptar festuan dje dyvjetorin e anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Presidenti dhe njëkohësisht edhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bamir Topi, vizitoi Batalionin e Forcës Speciale Tokësore në Zall-Herr, ku inspektoi dhe u njoh nga afër me veprimtaritë e strukturave të këtij batalioni. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm zëvendësministrja e Mbrojtjes, Suzana Panariti, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade, Maksim Malaj, etj. Ra në sy dukshëm mungesa e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, ndonëse nuk dihet arsyeja pse nuk ndodhej në aktivitet. “Kjo ditë ka qenë e mirëpritur dhe e bazuar në një aspiratë të thellë dhe të gjerë të popullit shqiptar, në një rast gati unikal, ku gati 96% e popullsisë e kanë mbështetur këtë vendim politik të institucioneve të Shqipërisë. Ne jemi krenarë sot që jemi pjesë e NATO-s. Jemi krenarë që jemi kontribues për paqen dhe sigurinë në botë”, u shpreh Presidenti, Bamir Topi. Unë jam krenar, vijoi Topi, që citojmë këtë histori relativisht të shkurtër, por heroike të Forcave tona të Armatosura, duke kontribuar në Bosnje, duke kontribuar në Irak, duke kontribuar sot vërtet në misione luftarake edhe në Afganistan. Kryeministri Sali Berisha përshëndeti gjithashtu në një konferencë të posaçme për shtyp dyvjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, NATO. Berisha nuk hezitoi të deklarojë se Shqipëria ka bërë dhe do të bëjë zgjedhje të standardeve të NATO-s. “Sot është dyvjetori i një prej ngjarjeve, datave më kryesore në historinë e lirisë së shqiptarëve, është anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Anëtarësimi i Shqipërisë në aleancën më të madhe të lirisë, që kohërat kanë njohur ndonjëherë, përbën edhe arritjen më madhore të shqiptarëve në fushën e sigurisë dhe lirisë së tyre. Aleanca e Atlantikut të Veriut, që nga themelimi i saj deri në ditët e sotme, u shndërrua në mburojë të pa depërtueshme të lirisë së kombeve të qytetëruara, të botës së lirë”, theksoi Berisha. Me anëtarësimin në këtë aleancë, theksoi ai, shqiptarët kanë të garantuar mundësinë e ndërtimit të së ardhmes së tyre në liri. Për çdo komb, insistoi kryeministri, anëtarësia në këtë aleancë përbën një arritje madhore, për kombin shqiptar, i cili ka pasur një histori të shkuar shumë të dhimbshme, kjo përbën një arritje të jashtëzakonshme. Shefi i mazhorancës insistoi në faktin se, sipas tij, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, erdhi para së gjithash dhe mbi të gjitha si rrjedhojë e atyre reformave të thella dhe të gjithanshme, që qeveria shqiptare ndërmori pas vitit 2005. “Ajo ishte rezultat i suksesit të padiskutueshëm të këtyre reformave, që shndërruan Shqipërinë në një nga vendet më të sigurta në rajon, demokracinë shqiptare dhe ekonominë e tregut, në një demokraci funksionale dhe ekonomi tregu funksionale. Reformave të thella të forcave të armatosura, kontributit të pa diskutueshme të ushtarakëve shqiptarë në të gjitha frontet dhe zonat, ku NATO kërkoi mbështetjen e këtij vendi”, nënvizoi Berisha. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, shtoi Kryeministri, ishte pa diskutim rezultat i mbështetjes së fuqishme të qeverisë dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndihmës së gjithanshme të vendit udhëheqës, të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe të gjitha vendeve të tjera anëtare.