E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Nuk ka asnjë vendim pozitiv pa u zgjidhur kriza, të nisë dialogu

Mbyllet Këshilli i dytë i MSA. Probleme edhe me gjyqësorin, lirinë e medias etj

Bashkimi Europian ka bërë të ditur se nuk do të ketë përparim të Shqipërisë në integrimin e saj në Europë nëse nuk do të zgjidhë sa më shpejt krizën politike duke iu kthyer situatës normale me funksionimin e plotë të Parlamentit. Kushtet e tjera janë zgjidhja e çështjes së luftës ndaj korrupsionit, pavarësia e administratës, liria e mediave, pavarësia e gjyqësorit, pra standardet normale demokratike, të cilat kërkohen për çdo vend të denjë për t’u bashkuar në klubin e vendeve të zhvilluara. Nga takimi i dytë i stabilizim-asocimit mes BE-së dhe Shqipërisë ka dalë një mesazh i qartë për situatën politike, e cila si pasojë ka pasur grevën e urisë e 200 përkrahësve të opozitës, e cila sot shkon në ditën e 12 të saj. Në takimin e djeshëm morën pjesë sekretari i qeverisë spanjolle për çështjet e BE-së, Diego Lopez Grrido, i cili përfaqëson presidencën e BE-së, komisioneri Europian i Zgjerimit, Stefan Fule, si dhe zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta.

Garrido

Numri dy i diplomacisë spanjolle ka mbajtur një qëndrim të baraslarguar nga dy palët në konflikt, por ka kërkuar një zgjidhje të shpejtë, pasi sipas tij, liderët duhet të kenë parasysh pasojat. Diego López Garrido deklaroi se “BE-ja u bën thirrje të gjitha partive në Shqipëri që të ndjekin rrugën e një dialogu politik konstruktiv me të gjithë aktorët duke përfshirë Parlamentin, si një përparësi kyçe në partneritetin europian”. Kjo deklaratë ka qenë dhe paralajmërimi më i qartë i Brukselit që do të thotë se nëse nuk instalohet sa më shpejt tryeza e dialogut, Shqipëria mund të bëjë hapa prapa në integrimin europian. Në konferencën e djeshme për shtyp, López Garrido, e ka bërë të ditur se ka pasur diskutime të detajuara me shefin e diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, i cili një javë më parë ka shfaqur mundësinë e negocimit të krizës. “Ne bëmë thirrje për rivendosjen e dialogut të ndërprerë dhe të plotë parlamentar, duke përfshirë shumicën dhe opozitën, sepse vendi ku ne zgjidhim mosmarrëveshjet tona është Parlamenti nëpërmjet dialogut. Ne zhvilluam një takim të mirë, gjatë të cilit te zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, zoti Meta, ne pamë një qëndrim shumë të sinqertë dhe konstruktiv; për këtë arsye, ne duhet ta vlerësojmë pozitivisht këtë takim që zhvilluam sot paradite këtu në Bruksel”, theksoi sekretari spanjoll i Shtetit për çështjet e BE-së. Zyrtari i Madridit ndërkaq ka vënë gishtin në plagë edhe për çështje të tjera përveç krizës politike, të cilat nga Brukseli konsiderohen si deformime të rënda të demokracisë. López Garrido, në fjalën e tij theksoi hapur se qeveria shqiptare është prapa në zbatimin e kushteve: “Për sa i përket palës shqiptare, kemi vënë re disa mungesa në përmbushjen e këtyre kërkesave, të cilat kanë të bëjnë me pavarësinë e administratës, apo lirinë e medias, ose gjyqësorin; në të njëjtën kohë ne jemi dakord se në këto fusha ka pasur edhe përparime, ashtu si dhe në këto fusha e drejtime të tjera, si p.sh., në të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave apo barazinë gjinore. Në këtë fushë të veçantë, BE-ja ka konstatuar se zbatimi i kornizës është i pamjaftueshëm; ndaj ne inkurajojmë qeverinë shqiptare në forcimin e mbrojtjes së grave kundër çdolloj forme dhune”, theksoi zëvendësi i Moratonos.

Fule

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, duke azhurnuar më teknikisht rrugën e Shqipërisë drejt zbatimit të kushteve të kërkuara deklaroi se hapat e marra deri tani nga Tirana zyrtare nuk janë në pritshmërinë e Brukselit. Ai theksoi se i gjithë ky proces është zbehur nga zhvillimet e gjendjes së brendshme politike, mungesa e gjetjes së një zgjidhjeje dhe përkeqësimit të situatës nga greva e urisë. “Kjo nuk ndihmon dhe nuk është ajo që pritet nga ky vend, i cili ndodhet në një lloj marrëdhënieje të avancuar me BE-në”, theksoi ai.

Meta

Shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, në deklaratën e tij, ka hapur një shteg paksa më të gjerë për nisjen e një dialogut mes Berishës dhe Ramës, i cili mund të zgjidhte krizën. Sipas numrit dy të qeverisë, në mes asaj që kërkon opozita dhe ofertës së mazhorancës gjendet një hapësirë ku mund të bisedohet. “Mes transparencës dhe respektit për Kushtetutën, ka mjaftueshëm hapësirë për të adresuar siç duhet të gjitha kërkesat e opozitës. Edhe një herë, më vjen keq për grevën e urisë. Unë kam qenë vetë në grevë urie para se të kalohej Kodi Zgjedhor, por mendoj se greva e urisë, që është një mjet demokratik, por ekstrem i protestës, mund të shërbejë për sensibilizim, por nuk është instrumenti i duhur për të zgjidhur problemet. Edhe një herë u bëj thirrje të gjithëve për dialog, dialog dhe vetëm dialog”, deklaroi Meta. Ndërkaq, në deklaratën e përbashkët që u shpërnda nga Presidenca e BE-së, theksohet se qeveria shqiptare duhet të marrë masa që vendi mos humbë stabilitetin financiar. “Duke pasur parasysh kriterin ekonomik Këshilli i SA theksoi se edhe nëse ka pasur një performancë përballë krizës, qeveria duhet të sigurojë një stabilitet makroekonomik dhe një disiplonë fiskale”, u shpreh Meta.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›