Ministri Tafaj: Shkollat janë të sigurta
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, ka vizituar dje shkollën e mesme të përgjithshme “Mahir Domi”, ku u vra 20- vjeçarja Gerta Bahja. Ministri, i shoqëruar nga prefekti i Qarkut të Elbasanit Shefqet Deliallisi, drejtoresha Rajonale e Arsimit, Mimoza Matraxhiu, dhe kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, kanë zhvilluar një takim me stafin pedagogjik të shkollës pa praninë e mediave. Ministri e ka cilësuar si shumë të rëndë ngjarjen e ndodhur dhe ka shprehur ngushëllimet për familjen e vajzës, si dhe shokët e klasës së saj. Ai ka deklaruar se do të bashkëpunohet me Drejtorinë Rajonale të Arsimit, si dhe drejtorinë e shkollës për të hartuar një program për mbështetjen e nxënësve për të kaluar këtë periudhë të vështirë. Ndërkaq, për sa i përket autorit, i cili mundi të hyjë në shkollë i armatosur, ministri deklaroi se “autori i ngjarjes ka qenë djalë i ri, i cili ka qenë e vështirë të dallohej nga nxënësit e tjerë. Megjithatë, organet kompetente të policisë po hetojnë”. Ministri shtoi se pavarësisht ngjarjes, të gjitha shkollat në Shqipëri janë të sigurta dhe ruhen nga organet kompetente.
#