Hetimi epidemiologjik, pa përgjigje edhe pas 72 orësh
Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar zyrtarisht se në qytetin e Ballshit ka pasur një shpërthim të kufizuar me gastroenterite, sëmundje që kryesisht shkaktohet nga marrja e ushqimeve apo edhe e ujit të kontaminuar. Sipas drejtorit të politikave shëndetësore, Pëllumb Pipero, i cili ka dhënë edhe versionin zyrtar të ngjarjes në Ballsh, numri i rasteve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore ka qenë relativisht i madh, duke pasur parasysh popullsinë e qytetit të Ballshit.
Autoritetet shëndetësore shqiptare, me një ekip të kryesuar nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, kanë verifikuar në vend situatën, duke dërguar njëkohësisht në vendngjarje ekipe mjekësore nga Instituti i Shëndetit Publik dhe spitali rajonal i Fierit.
Rastet e paraqitura, që të gjitha ishin forma të një gastroenteriti të lehte deri të mesëm, me disa manifestime diarreike apo shqetësime gastrointestinale.
Në bashkëpunim me pushtetin lokal, duke mos përjashtuar në çastet e para mundësinë e një shpërthimi epidemik me burim ujin, u mor vendimi për mbylljen e ujësjellësit deri në përfundimin e procesit të hetimit epidemiologjik.
“Numri total i personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore brenda dy-tri ditëve ka qenë rreth 200, por duhet të theksojmë se një pjesë e madhe e tyre kanë pasur vetëm përzierje. Rreth 50% e tyre kanë marrë ndihmën mjekësore që ka konsistuar në dhënien e perfuzioneve”, deklaroi dje paradite Pëllumb Pipero.
Sipas tij, si çdo shpërthim tjetër i kufizuar i sëmundjeve gastrointestinale, ngjarja po i nënshtrohet hetimit të thellë epidemiologjik, që përfshin edhe analizat laboratorike të ujit apo ushqimeve të konsumuara, çfarëdo qofshin ato. “Sapo të kemi rezultatet do të merren masat përkatëse për menaxhimin përfundimtar të situatës”, përfundoi drejtori i politikave shëndetësore.
#