BE: Nuk kemi pasur dijeni për ndryshimet kushtetuese
Bashkimi Europian nuk ka pasur dijeni për ndryshimet kushtetuese që dy partitë e vjetra bën në 21 prill. Deklarata është bërë nga drejtori i Komisionit Europian, Dirk Lange. Pyetjes së liderit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në Bruksel, nëse Bashkimi Europian ka pasur dijeni për ndryshimet kushtetuese, Lange i është përgjigjur pa u menduar gjatë: “Jo”. Madje, ai ka vazhduar më tej duke i dhënë garanci kryetarit Meta se do të monitorojnë pasojat e këtyre ndryshimeve. Kreu i LSI-së, Meta, ka shkëmbyer gjithashtu replika me deputetin demokrat, Ilir Rusmali, lidhur me ndryshimet kushtetuese të 21 prillit. Kryetari Meta ka theksuar se përqendrimi i pushteteve sjell kriza dhe krizat kanë filluar të duken në një kolaps institucional ku ndodhet vendi. Ish-kryeministri Meta e ka konsideruar një skandal të vërtetë rrëzimin e të gjitha dekreteve të Presidentit të Republikës Bamir Topi nga maxhoranca, duke ulur tej mase reputacionin e tij. Rrëzimi i dekreteve ishte thjesht një hakmarrje e verbër e kryetarit të PD-së Berisha, pasi gjykatësit kanë qenë njerëz profesionistë dhe me integritet.
26 Qershor 2008