Alibeaj: “Presidenti nuk zgjodhi kandidatë cilësorë për në Gjykatën e Lartë”
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, zbardh një tjetër pistë, që të çon në shkaqet e rrëzimit nga Kuvendi të dekreteve të presidentit Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Gjatë një prononcimi në media, i pyetur nëse rrëzimi i kandidaturave kishte të bënte me cilësinë e tyre, Alibeaj tha: “Duhet, sigurisht, një përzgjedhje cilësore, një përzgjedhje që duhet bërë gjithmonë me një proces. Në një përzgjedhje cilësore ku askush nuk ka domenin apo spektrin e së vërtetës. Askush mbi këtë botë. Do të jetë vetëm një proces publik, transparent, i cili në mënyrë të domosdoshme të çon në zgjedhjen cilësore. Publiku është vlerësuesi i fundit jo vetëm i deputetëve, por edhe i gjyqtarëve”. Gjithsesi, ministri i Drejtësisë deklaron se rrëzimi i dekreteve nuk kishte të bënte me persona të veçantë, por i shërbente krijimit të traditës parlamentare. “Nuk duhet ta konsiderojmë si një marrëdhënie të drejtpërdrejtë midis Kuvendit dhe pesë individëve aspirantë për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ajo ç’ka duhet të përfitojmë nuk është pesë individë që do të aspirojnë për anëtarë të Gjykatës së Lartë, por tradita parlamentare që duhet të krijojmë. Duhet të krijojmë një traditë të tillë. Një memorie të tillë institucionale që vetëm nëpërmjet proceseve të tilla skanimi të të gjithë integritetit moral dhe profesional të përzgjedhjeve në organet kushtetuese, vetëm kjo do të ishte zgjidhja më e mirë. Cilësia do të ishte e garantuar vetëm nëpërmjet këtij filtri”, - tha Alibeaj. Më tej, kreu i Ministrisë së Drejtësisë foli edhe rreth çështjes së Gjykatës së Lartë. Sipas tij, nuk është e vërtetë se Gjykata e Lartë është bllokuar. “Nuk ka bllokim të Gjykatës së lartë. Gjykata e lartë funksionon. Nuk funksionon me ritmet që do të kishte, të themi, me kapacitetin e plotë prej 17 gjyqtarësh, por unë ju kujtoj edhe faktin tjetër që ka mëse një vit që ky kapacitet i plotë nuk ekziston në Gjykatën e Lartë. Ka pasur mungesa të dy ose tre anëtarëve, që u ka mbaruar kohë më parë mandati”, - tha Alibeaj.
26 Qershor 2008