E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Pa viza brenda vitit Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, Shqipëria nuk plotëson kushtetNga Tema Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, këto tri shtete do të kenë mundësinë që të udhëtojnë pa viza drejt Bashkimit Evropian që në fund të këtij viti

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

BE: Pa viza brenda vitit Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, Shqipëria nuk plotëson kushtetNga Tema

Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, këto tri shtete do të kenë mundësinë që të udhëtojnë pa viza drejt Bashkimit Evropian që në fund të këtij viti.

Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina janë përjashtuar nga ky vendim.

Lajmi është konfirmuar nga burime diplomatike brenda mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian.

Një deklaratë përfundimtare e këtij takimi vlerëson raportin e përgatitur nga Komisioni Evropian për vendet që kanë plotësuar kriteret për heqjen e vizave dhe kërkon që të plotësohet kuadri ligjor që vizat të hiqen brenda këtij viti. Për vendet e tjera kërkohet që të plotësohen kriteret e vendosura për heqjen e vizave. Deklarata përfundimtare e Këshillit të Ministrave thotë se kushtet që duhen plotësuar janë krejtësisht të qarta, duke bërë kështu të ditur se Shqipëria ka dështuar në plotësimin e këtyre kushteve, duke pasur fare të qartë se çfarë kushtesh duhen plotësuar.

Megjithatë, Këshilli është treguar sërish i hapur, duke thënë se mbështet dialogun për liberalizimin e vizave, duke përkrahur vendet që të punojnë shpejt në këtë drejtim.

Këshilli bën të ditur se çdo arritje është individuale për çdo vend.

Prej kohësh mazhoranca ka deklaruar se do arrinte të hiqte regjimin e vizave me Bashkimin Evropian brenda këtij viti. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, pati deklaruar se një gjë e tillë do të mbyllej nga kreu i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso, brenda mandatit të tij.

Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, pati shkuar dhe më tej, kur pati deklaruar se për momentin Bashkimi Evropian duhej të merrej me krizën ekonomike, ndaj nuk kishte në axhendë liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor.

E kundërta rezultoi e vërtetë. Komisioni Evropian përgatiti një raport të detajuar në lidhje me përgatitjet e secilit vend drejt heqjes së vizave. Sipas KE, secili vend ka patur një plan masash dhe reformash që duheshin realizuar, ndaj dhe vlerësimi për heqjen e vizave do ishte i lehtë. Në krye të vendeve që kanë përparuar me reformat ishte Maqedonia, e pasuar nga Serbia dhe Mali i Zi. Në fund fare ndodhej Shqipëria së bashku me Bosnjë-Hercegovinën.

Dështimi me vizat është qartësisht dështim me reformat qeveritare.

Një shuplakë tjetër për qeverinë në raportin e përgatitur nga KE ishte dhe fakti se kërkohej që të mos bëhej lobing për të hequr vizat, por që qeveria të plotësonte kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian.

Disa nga këto kushte ishin siguria e dokumenteve, kontrolli mbi kufijtë dhe emigracionin, lufta ndaj krimit të organizuar etj.

Me një numër rekord shtetasish jashtë vendit, por dhe me një numër po rekord qytetarësh që duan të largohen, Shqipëria duket se ka trembur zyrtarët e BE. Po ashtu, pasaportat e reja biometrike kanë qenë kusht kryesor.

Në këtë fushatë elektorale sërish mazhoranca po premton që vizat do hiqen brenda vitit që vjen, por gjithmonë zyrtarët e BE kanë kërkuar që të mos vendosen afate, kur flitet për këto çështje, por të plotësohen kushtet.

Pak përpara se Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE të dilte më këtë konkluzion, mediet e Brukselit kanë kërkuar që të bëhet kujdes me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, duke u dhënë shpresa për vizat. Kjo për shkak se ato u tremben qëndrimeve radikale që mund të mbajnë qytetarët e këtyre vendeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›