E Diel, 1 Nëntor 2026

Moslejimi i mbajtjes së premtimeve, fitorja e 28 qershoritNga Lavdosh FerruniËshtë gati universale në sistemet demokratike që puna e lidershipit politik të matet me realizimin e programeve dhe premtimeve të dhëna zgjedhësve, të cilët i besuan këtij l

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Moslejimi i mbajtjes së premtimeve, fitorja e 28 qershoritNga Lavdosh Ferruni

Është gati universale në sistemet demokratike që puna e lidershipit politik të matet me realizimin e programeve dhe premtimeve të dhëna zgjedhësve, të cilët i besuan këtij lidershipi drejtimin e vendit në një periudhë disavjeçare. Është normale të dëgjojmë sot, edhe pse tej e këtej kakofonike, zgjedhimin e foljes mbaj (s’mbaj), premtimet në këtë fushatë të qershorit 2009. Për shkak të sistemit të ri të zgjedhjeve që e koncentron në mënyrë të skajshme fushatën në vetëm 2 liderë rritet së tepërmi valenca e premtimeve të tyre. Si rrjedhojë e kësaj rrethane dhe siç duket edhe si rrjedhojë e premtimeve të dhëna lobeve të biznesit të huaj (kryesisht atij italian), kryeministri aktual i vendit po luan me një kartë të fortë që ndryshe nga ajo e 2005, që ishte “premto dhe bëj ndryshe”, tani duket është “premto dhe bëj siç premtove”. Paradoksalisht kjo është ekstremisht e rrezikshme. Është ekstremisht e rrezikshme, pasi, nëse Berisha merr sërish pushtetin, nuk ka forcë që të ndalë përqasjet paranojake të drejtimit të vendit prej tij, pasi ai do thotë: “Ju premtova, më votuat, do mbaj premtimet”. Për ta fituar këtë sfidë Berisha duket se ka ndjekur një strategji të projektuar mirë prej “këshilltarëve” të tij të huaj. Për t’u bërë i besueshëm në premtimet e tij, ai ka ndjekur taktikën e faktit pjesërisht të kryer. Premtimi i madh i Berishës, që në fakt përcakton dhe drejtimin e zhvillimit të vendit, më saktë të thuhet deformimin e tij, është investimi i huaj shumëmiliardësh i bazuar kryesisht te koncesionet e pakërkuara në ultësirën e vendit dhe i përqendruar në industritë me shkallën më të lartë të ndotjes dhe me shkallën më të ulët të punësimit. Kështu, veç përfundimit të terminalit të hidrokarbureve të Petroliferës dhe TEC-it me naftë në Vlorë, Berisha i ka hapur rrugën naftësjellësit të AMBO-s po në gji të Vlorës (konventë e ratifikuar në parlament), ka nënshkruar ndërtimin e superparkut eolik në Karaburun (vendim qeverie), ka përcaktuar fituesin e tenderit për superportin e Vlorës (Ministria e Transportit), ka nënshkruar dhënien me koncesion të 478 ha zonë e lirë në Vlorë (vendim qeverie), ka nënshkruar marrëveshje për terminal rigazifikimi në Seman të Fierit, ka miratuar në qark të Durrësit ndërtimin e super-TEC-it me qymyr 1600 MW në Porto Romano, ka miratuar ndërtimin e një parku energjitik në Lezhë (vendim qeverie), ka miratuar 7 fabrika çimentoje në ultësirën e vendit nga Fushë-Kruja në Shëngjin (vendime qeverie). Që të gjitha këto vepra janë (ose do të jenë) 100% pronë e kapitalit të huaj në tokë shqiptare të falur, produkti i të cilave është 100% i destinuar për tregun e huaj, përjashtim bën TEC-i i Vlorës që është kredi e qeverisë, por që edhe ky është ndërtuar aty për t’i shërbyer veprave të huaja, kur ato të ndërtohen.

Nëse Berisha merr një mandat të dytë, jo vetëm këto vepra do të ndërtohen, por mund dhe patjetër do të projektohen e ndërtohen edhe të tjera, gjithashtu mbështetur në koncesione të pakërkuara.

Por a është kjo përqasja e zhvillimit të vendit? A i duhen Shqipërisë këto vepra? Shumëkush do t’i përgjigjej prerazi, jo, madje një analizë më e hollësishme të çon pashmangshmërisht në atë që ndërtimi i këtyre veprave është thjesht një viktimizim i ri historik i Shqipërisë. Megjithatë, mënyra e tipit diktatorial glorifikues gërshetuar me mashtrime të pastra e paraqitjes në publik të kësaj përqasjeje, si “superfuqi energjitike”, “porti më i madh evropian që punëson 50,000 vetë”, “investim miliarda euro” etj., ka të ngjarë që këto vepra të konsiderohen si premtime të pranueshme e si premtime që mbahen, pra premtime që së paku nuk influencojnë negativisht në rezultatin e zgjedhjeve. Një shmangie e rrjedhjes së votave si shkak së paku i shpalljes publikisht të ndërtimit të këtyre veprave do të ishte një fitore e madhe për Berishën dhe “këshilltarët” e tij, pasi ai shpreson shumë të ketë një shtim votash, që mund ta çojë në pushtet prej mjaft premtimeve të tjera më të prekshme nga votuesit, si rrugët, energjia pa ndërprerje, ujësjellësit, rrogat, NATO etj.

Me gjithë kamuflimin dhe herë-herë mashtrimin deri në ekstrem të efektit të këtyre veprave në ekonominë shqiptare, në mjedisin shqiptar dhe në shëndetin e shqiptarëve është bërë e mundur, shumë pak prej opozitës e medias, dhe pak më shumë prej shoqërisë civile të evidentohen disa monstruozitete të këtyre veprave, që pa dyshim do të konvertohet në votë kundër PD Berishës, Rulit e Olldashit, siç është rasti i TEC-it me qymyr në Porto Romano apo dhe parkut eolik në Karaburun.

Në këtë shkrim nuk mund të mos sjellim para lexuesit disa elementë vërtetësie të masakër-projektit të quajtur Porti i Ri i Vlorës dhe zona e lirë në Vlorë. Po pse është masakër-projekt? Asnjëherë ndonjë qeveritar apo opozitar nuk ka informuar publikun që projekti i Portit të Ri dhe zona e lirë, sapo të mbyllen letrat, puna e parë që do bëjë është prerja e pyllit të Sodës. Kur në verë të 2008 u bë prezantimi i projektit në hotel “Sheraton” në Tiranë, pyetja nëse do pritet pylli i Sodës apo jo, mori përgjigjen nga hartuesit e projektit: “Po. Më 11.6.2009”, pra vetëm pak ditë para zgjedhjeve, ndryshe nga vendimet e zakonshme të Këshillit të Ministrave që i referohen neneve të Kushtetutës dhe ligjeve mbështetës në faqen e Kryeministrisë shkruhej lajmi: “Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për shpalljen “Zonë ekonomike” me statusin “Zonë e lirë” një territor me sipërfaqe 478.14 ha në Vlorë. Ky vendim ka si qëllim krijimin e klimës sa më tërheqëse për thithjen e investimeve të huaja dhe vendase, duke ndikuar në nxitjen e zhvillimit ekonomik të kësaj zone. Zona do të jepet me koncesion të formës “BOT”. Ky ishte i gjithë informacioni i dhënë publikut shqiptar, që natyrisht thuajse nuk u pasqyrua fare në media. Të vendosësh t’i kalosh në zotërim një territor të vendit prej qindra hektarësh një kompanie të huaj pa më të voglin informim të publikut është e pakonceptueshme në demokraci. Edhe për një rrugë të një fshati mund të jetë diskutuar shumë e shumë më tepër në këtë prag zgjedhjesh sesa për zonën e lirë dhe super-portin e Vlorës. Nëse lexuesi ka qenë veçanërisht i interesuar, mund të ketë kapur nga fjalimet e liderëve për këtë port këto prononcime; Berisha: “Vetëm porti i Vlorës do të punësojë 30 mijë deri në 50 mijë qytetarë” (Vlorë, 4 Qershor 2009)”, ndërsa Edi Rama: “Dy projektet e mëdha, për të cilat unë do të angazhohem me mish e me shpirt për Vlorën, do të jenë fillimi i ndërtimit të një porti evropian dhe fillimi i punës për një universitet evropian për Vlorën.” (burimi PS; 12 maj 2009).

Po ç’është në të vërtetë ky port dhe kjo zonë e lirë? Të kesh në dispozicion sot një gji deti teknikisht të përshtatshëm për një port të madh dhe 500 hektarë tokë pa paguar asnjë cent (ose 1 euro) është gati e pabesueshme për një investitor serioz, por jo e pamundur për dikë tjetër. Kjo për faktin se Bota dhe Evropa, të paktën këto 200 vjet i ka “zbuluar” vendet për porte e zona të lira. Tashmë zonat janë të zëna, nuk ka më të lira, sidomos në Evropë. Vlora, gjithashtu është plotësisht e “zënë”. Do të ishte tepër e guximshme deri në kriminale t’i hapësh dritën jeshile një porti të ri, më të madh në Mesdhe dhe heqjen nga territori i Vlorës të 500 hektarëve bregdet. Porti i ri i kontejnerëve në Vlorë ka një kapacitet përpunimi prej 3 milionë kontejnerësh në vit, veç sasive të naftës akoma të padeklaruara dhe lëndëve të tjera të transportuara rifuxho. Madhësia e tij e krahasuar gjeografikisht me porte të tjera evropiane, bërë publike prej kryeministrit, është korrekte. Ky port është 2 herë më i madh se porti i Pireut në Greqi, më i madhi port i Mesdheut Lindor dhe pothuaj me të njëjtën madhësi me portin e Algeciras në Spanjë, më i madhi port i Mesdheut perëndimor. Dhe nëse lexuesit do t’i mjaftonte t’i referohej për krahasim portit më të madh të vendit dhe ndër më të mëdhenjtë në detin Adriatik, portit të Durrësit, do të duhej të publikohej fakti se projekti i Portit të Ri të Vlorës parashikohet të ketë një madhësi gati 200 herë më të madhe se ai i Durrësit. Për ta bërë më të kuptueshme madhësinë e këtij porti për ata që kanë pak lidhje me portet do të mjaftonte të thuhej se vetëm volumi i punës së transportit të kontejnerëve është i barabartë me 10,000 kamionë në ditë apo një kamion në afërsisht çdo 8 sekonda që do të nisen nga Vlora apo më saktë nga plazhi i vjetër, siç quhet plazhi më i afërt i qytetit (tashmë brenda qytetit). Ka me qindra pyetje që lindin në një projekt të tillë gjigant për nga madhësia, por sot vendimmarrja ekzekutive dhe politike në Shqipëri, jo vetëm nuk dëshiron të ketë pyetje, por ka ndërtuar sistemin e zhdukjes së pyetjeve dhe, nëse ndonjë pyetje arrin të dalë në publik, funksionon automatikisht sistemi i shurdhërisë e memecërisë. Le të bëjmë vetëm një pyetje, e cila është dërguar me sms në institucione të rëndësishme të medias dhe të politikës, akoma pa marrë përgjigje, edhe pse do të mjaftonte një përgjigje me një “Po” ose “Jo”. Pyetja me sms saktësisht është: “Ky port i Vlorës në plazh të vjetër, që është 200 herë më i madh se i Durrësit, a e bën pis mbretëreshën e turizmit?” Ata që duan ta bëjnë këtë port, nëse do të detyroheshin të përgjigjeshin, do të thoshin pa dyshim “Jo”, se, nëse do të thoshin qoftë edhe “ndoshta”, do përballeshin me zemërimin popullor. Vlora si “mbretëresha e turizmit” nuk është term poetik apo epitet elektoral, por shpreh një gjendje të privilegjuar të territorit të saj në lidhje me zhvillimin e turizmit krahasuar me pjesë të tjera të vendit, rezultat i ndërthurjes së ekosistemit me vlera të larta turistike shoqëruar me investime të shumta në fushën e turizmit veçanërisht në dy dekadat e fundit. Po pse bëhet pis mbretëresha e turizmit nga porti? Për të vërtetuar këtë do mjaftonte krahasimi me porte të ngjashme evropiane në Mesdhe, madje të vendeve të BE, dhe kjo pasi kohët e fundit është shtuar së tepërmi abuzivizmi me terminologjinë “evropian”, “standarde evropiane”, me qëllim kamuflimin e aferave të pastra shqiptaro-mafioze. Një krahasim i përshtatshëm do ishte me portin e Pireut. Si rrjedhojë e ndotjes prej tij nuk ka asnjë plazh në distancën deri 8 km në të dy krahët e portit. Dhe Pireu e turizmi nuk takohen fare me njëri-tjetrin. Hotelet e Pireut në më të shumtën e rasteve frekuentohen prej pasagjerëve për të kaluar ndonjë natë para se të marrin tragetin për në ishujt turistikë të Greqisë. Shumë i ngjashëm me gjirin e Vlorës është gjiri i Algeciras në Spanjë. Ai konsiderohet si vendndodhje gjeografike e jashtëzakonshme me enklavën bregdetare shumë të spikatur të Ngushticës së Gjibraltarit me një gjatësi rreth 10 km e gjerësi 8 km, përmasa shumë të afërta me Gjirin e Vlorës. Në guidën turistike (vëmendje: guidë turistike) të rajonit të Gjibraltarit, ku bën pjesë dhe bashkia Algeciras, thuhet për të se “një pjesë e madhe e kësaj zone vuan nga ndotja e madhe atmosferike dhe e ajrit si rrjedhojë e përqendrimit industrial në Gji” (www.turismocg.com). Nga burime të Komisionit Evropian mësohet se “.. vazhdon të ketë rritje në sasi të madhe të volumit të ndotësve që shkarkohen në gjirin e Algeciras, i cili ka vuajtur prej vitesh nga një dëm permanent të mjedisit të tij detar, të resorteve turistike dhe qyteteve të tij”( European Commission, E-0841/07).

Analizat laboratorike, sipas procedurës sekuenciale për Cu, Zn, Cd, Pb, Fe, Ni, Cr, dhe Mn, tregojnë se ndotja në gjirin e Algeciras është e tillë që ka efekte helmuese në gjallesat detare (Journal of Coastal Research, 2007) . Një raport mjedisor i OECD përcakton zonën e Algeciras ndër 5 “hot-spot”-et e ndotjes midis 83 qyteteve bregdetare të Spanjës (http://books.google.com/books).

Wikipedia, enciklopedia nr. 1 në shkallë botërore, shkruan: “Algeciras, porti kryesor që lidh Spanjën me Afrikën, është gjithashtu një qytet industrial, një port i madh peshkimi dhe një qendër për shpërndarje droge”. Kurse për Vlorën shkruan: “Turizmi është bërë industria kryesore në vitet e fundit, me shumë hotele, qendra rekreative, dhe shumë plazhe. Është një vend i kënaqshëm për t’u relaksuar, për të pirë një kafe dhe admiruar pamjen e mrekullueshme të Gjirit të Vlorës”

Ndërsa guida turistike më e madhja në botë, Lonely Planet, shkruan: “Shumica e udhëtarëve vijnë në Algeciras për shkak të linjave të shumta të trageteve drejt Marokut dhe nuk shpenzojnë veçse pak orë në qytet. Duke ditur ajrin e pistë të qytetit industrial dhe mungesën e ndonjë sharmi, qoftë edhe të turbullt, ky nuk është shumë surprizues. Ki kujdes në Algeciras: matrapazët, kambistët, dhe shitësit e biletave janë shumë të ngjitur, dhe rrugët mund të jenë të frikshme natën”.

E njëjta guidë në të njëjtën rubrikë shkruan për Vlorën: “ Ju mundet aktualisht të notoni këtu në ujërat e kristalta të plazheve, që shtrihen përgjatë jugut të portit. Shumë e shohin këtë gji shumë të bukur si shpresën shumë të madhe për zhvillimin e turizmit të Shqipërisë. Nuk është çudi që banorët lokalë janë duke luftuar shumë fort për të përmbysur planet e një kompanie të SHBA për të kaluar një naftësjellës përmes tij” (http://www.lonelyplanet.com/albania/southern-albania/vlora, 17 shkurt 2009)

Shqiptarët dhe veçmas vlonjatët për sa kohë nuk kanë informim se ç’do bëhet me ta dhe me territorin ku ata banojnë, madje në mënyrë të paskrupullt mashtrohen, si me rastin e fundit me 30-50 mijë të punësuarit prej Portit të Ri, i cili sipas projektit dhe eksperiencës botërore nuk mund të punësojë më shumë se 2 mijë vetë (dhe këta mund të jenë dhe kinezë, nëse kështu dëshiron kompania që do e drejton dhe menaxhon), tani nuk kanë se ç’të bëjnë veçse t’i flasin njëri-tjetrit dhe t’i thonë “Jo!” me votë Berishës më 28 qershor. Më pas, nëse punët shkojnë së prapthi, ata e kanë një armë të fortë, referendumin, që nuk do mund të ndalohet më.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›