Debatet, një dështim i dobishëmNga Mero BazeNë fundjavën që shkoi u trondit papritur axhenda e mirësinkronizuar e debateve shterpë elektorale. Diçka nuk funksionoi mirë në emisionin e Fevziut në TV Klan dhe aq u desh që të niste një zinxhir bllokimi
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Debatet, një dështim i dobishëmNga Mero BazeNë fundjavën që shkoi u trondit papritur axhenda e mirësinkronizuar e debateve shterpë elektorale. Diçka nuk funksionoi mirë në emisionin e Fevziut në TV Klan dhe aq u desh që të niste një zinxhir bllokimi debatesh në gjithë televizionet e tjera.
Debatet televizive, të cilat duket se hynë tanimë në krizë, kanë thyer pa asnjë hezitim çdo rekord të shterpësisë, mungesës së mesazheve dhe demonstrimit të personalitetit të debatuesve. Të futur në një skemë të imponuar kontrolli, prej dorëzimit të medias përballë dy “kryeredaktorëve”, ato nuk arritën të prodhonin thuajse asnjë lajm gjatë gjithë kësaj kohe, edhe pse kanë konsumuar më shumë kohë televizive se çdo herë tjetër në historitë e fushatave tona elektorale.
Arsyeja e parë pse ato dështuan ka të bëjë, jo vetëm me cilësinë e aktorëve apo drejtuesve të debateve, por me mungesën e dëshirës për të debatuar. Asnjë debat i derisotëm nuk ka patur objekt debati ato çfarë kanë qenë skandale të këtyre viteve dhe ato çka pritet të jenë objektiva të fituesve. Asnjë shoqëri, sado primitive dhe parademokratike të jetë, nuk do ta kishte shmangur në fushatë elektorale debatin mbi tragjedi si ajo e Gërdecit, mbi implikimin e familjarëve të kryeministrit në këtë skandal dhe në procesin e drejtimit informal të shtetit, si dhe historitë tronditëse të sekserëve të familjes në pushtet, siç janë Rezart Taçi, Damir Fazlliç, Dritan Çela etj., që përkthehen në opinion si Porto Romano, Kakome, ARMO e kështu me radhë. Duke shmangur këto tema të nxehta nga debati politik elektoral, gazetarët kanë menduar t’i bëjnë qejfin Berishës, me qëllim që ai të mos u bllokojë emisionet duke u frenuar përfaqësuesit e partisë së tij. Nga ana tjetër, Rama e ka parë me leverdi këtë çështje, pasi ekipi i të rinjve të tij e ka të vështirë të kuptojë ç’ka ndodhur në një vend ku ka gjashtë muaj që ka ardhur. Duke u fokusuar te fytyrat e reja dhe pa mesazhe politike, Rama thjesht ka synuar të mos i ngrejë nervat njeriu me ekipin e tij. Ata kanë qenë gjithmonë të këshilluar të shmangin debatin mbi korrupsionin në ekrane dhe të mos bëjnë target sulmesh biznesmenë që nesër mund të jenë sërish klientë të pushtetit të tyre.
Të futur në këtë spirale, mediet televizive filluan të bëhen qendra propagande dhe sfilatash të njerëzve që nuk thoshin asgjë dhe që kërcenin si gjelat vetëm po t’u zije në gojë Ramën apo Berishën. Dhe kjo situatë u bë e neveritshme, derisa vetë censorët u lodhën dhe e prishën skemën. Për këtë arsye ata nuk janë fajtorë të drejtpërdrejtë të dështimit të debateve. Fajtorët realë të dështimit të debateve janë mediet televizive që kanë pranuar të bëjnë pakt me politikën për debatin elektoral. Detyrimi për t’i futur në luftë palët dhe për të dëshmuar hapur se si kanë ndërmend të qeverisin, është detyrë kryesore e medias. Duke u kthyer në servis të partive politike, ato në të vërtetë kanë bërë mbulimin më sipërfaqësor të mundshëm që i është bërë ndonjëherë ndonjë fushate elektorale dhe në kulmin e fushatës po gjenden të dorëzuara nga dështimi i skemës.
Arsyeja e dytë përse debatet dështuan është se media televizive përjashtoi nga ballafaqimi me kërkesë të dy “kryeredaktorëve” partitë e vogla dhe koalicionet e dyta. Ndryshe nga dy partitë kryesore që kanë elektorat të madh, por vetëm nga një lider, partitë e vogla dhe koalicionet e dyta kanë më shumë figura për debat se dy partitë e mëdha. Nëse në PD dhe në PS të gjithë flasin, mendojnë, madje dhe tundin gishtin si Edi Rama apo Sali Berisha, në koalicionet e dyta apo partitë e vogla gjen politikanë dhe njerëz me individualitete që artikulojnë më shumë politikë sesa manekinët që janë ekspozuar deri tani në ekrane. Zhdukja e tyre nga ekranet i ka bërë dëm të madh debatit politik në vend, pasi e ka bërë atë steril, qesharak dhe shpesh të neveritshëm. Ky sistem elektoral është një sistem, i cili përjashtoi politikanët dhe futi në lojë teknicienët. Në dy listat kryesore tanimë gjen shumë deputetë, por pak politikanë. Politikanët e përjashtuar nga sistemi elektoral tashmë u përjashtuan dhe nga media televizive dhe kjo dërrmoi ngjyrat e debatit politik.
Dështimi i këtyre debateve është një leksion i hidhur për medien shqiptare dhe dorëzimin e saj para politikës. Kjo fushatë e neveritshme elektorale, me kaseta të servirura nga regjitë e partive dhe debate të drejtuara me sms, do të mbahet mend gjatë si fushatë e dorëzimit të gjithë lirive, e lirive qytetare për të zgjedhur, e lirisë për të ndikuar në kandidatët që do të kemi deputetë, e lirisë për të votuar dhe mbi të gjitha e lirisë së medias, e cila duhet të ishte dëshmitare e kësaj beteje elektorale. Dështimi i këtyre debateve është i dobishëm, pikërisht sepse na jep shansin së paku t’i rikthejmë lirinë vetes për të identifikuar tek ofertat politike atë çfarë vlen dhe çfarë është reale dhe për të ndarë nga ajo çfarë është e trukuar dhe funksionale vetëm për krerët që kanë ndërtuar këtë regjim të neveritshëm mediatik.