E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në krizë, çdo qeveri që do dalë pas zgjedhjeve, do kërkojë ndihmën e FMNNga Adam Tanner, “Reuters”Dikur e izoluar, Shqipëria tani është e ekspozuar ndaj krizës ekonomike botërore dhe zyrtarët ndërkombëtarë thonë se qeveria që do të fitojë z

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Shqipëria në krizë, çdo qeveri që do dalë pas zgjedhjeve, do kërkojë ndihmën e FMNNga Adam Tanner, “Reuters”

Dikur e izoluar, Shqipëria tani është e ekspozuar ndaj krizës ekonomike botërore dhe zyrtarët ndërkombëtarë thonë se qeveria që do të fitojë zgjedhjet në fund të këtij muaji, do të kthejë sytë nga FMN për të kërkuar ndihmë.

Përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, kryeministri, Sali Berisha, tha se ekonomia në vendin e tij prej 3.3 milionësh po rritet akoma me më shumë se 4%.

Por ekonomistët dhe shqiptarët e thjeshtë, të intervistuar këtë muaj, thonë se vitet e rritjes së qëndrueshme ekonomike në vendin ish-stalinist tashmë kanë kaluar.

Qeveria po derdh shuma të mëdha parash në ndërtimin e rrugëve për të ndihmuar ekonominë, dhe punët publike me kosto të lartë do të bëjnë që qeveria e re të kërkojë ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ashtu siç kanë bërë muaj e fundit Serbia dhe Bosnja.

“Sigurisht që qeveria re do të donte të rikthehej FMN”, - tha një zyrtar ndërkombëtar.

“Qeveria mund të marrë vendime të vështira dhe të fajësojë FMN... Edhe nëse Berisha e demokratët e tij do të fitonin zgjedhjet, ata do të rikthehen te Fondi.”

FMN parasheh një rritje ekonomike prej 0.4 deri në 0.5%, një ulje e ndjeshme nga rritja e vitit 2008, që llogaritet te 6.8%, edhe pse e butë në krahasim me Evropën e goditur nga kriza.

“Një skenar pozitiv rritjeje do të ishte në nivelin e 0%. Kjo do të ishte megjithatë rritja më e madhe ekonomike në Evropë”, - thotë Mario Holzner, një ekonomist në Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.

Ndërsa qeveria parashikon një rritje prej më shumë se 4%, ai shton: “Ky është një mashtrim, është thjesht një dëshirë e tyre. Është e vetëkuptueshme, për shkak se ka zgjedhje në fund të qershorit.”

Gjuetia ndaj bunkerëve

Rënia ekonomike në një nga ekonomitë më të varfra të Evropës është e dukshme për punëtorë si Asllan Saliu, që fiton të ardhurat e tij duke shitur skrap që e nxjerr nga bunkerët në formë kërpudhash që komunistët kanë ndërtuar anembanë Shqipërisë për t’u mbrojtur nga ndonjë pushtim, që në fakt nuk erdhi kurrë.

“Ndërsa koha kalon, gjërat po bëhen gjithmonë e më keq”, - thotë Saliu, duke përdorur një çekiç për të thyer çimenton nga pjesa e brendshme e bunkerit në një kodër të vetmuar në Qarr.

“Tani më duhet të punoj më shumë për të fituar të njëjtën shumë parash”.

Saliu mund të fitojë deri në pesë euro për tetë orë punë. Por ulja e ndjeshme e çmimit të çelikut në tregjet botërore do të thotë se tashmë tregtarët i paguajnë atij gjysmë çmimi për atë sasi që nxirrte më parë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se një shqiptar i mesëm jeton me 3.500 dollarë në vit, të paktën një e dhjeta e mesatares evropiane.

Nën regjimin komunist, Enver Hoxha ishte i plotfuqishëm, dhe predikonte ekonominë e bazuar në fuqitë e vetë vendit, duke shkuar në gjurmët e patronëve sovjetikë e më pas kinezë.

Pasi ra në anarki për shkak të skemave piramidale në mesin e viteve ‘90, Shqipëria shpreson të bashkohet me Unionin Evropian dhe ka aplikuar në prill për anëtarësim.

Berisha, politikani dominues që pas rënies së komunizmit në fund të vitit 1991, është i kujdesshëm kur pyetet, nëse ekonomia mund të përkeqësohet.

“Ekonomia shqiptare është akoma në rritje, jo me ritmin e vitit të kaluar, por ne sërish jemi te rritja 4% dhe nuk kemi asnjë kokëçarje në lidhje me buxhetin”, - tha Berisha për “Reuters” gjatë një interviste javën e shkuar.

“Shumëçka do të varet nga turizmi. Do të varet dhe nga tendenca e krizës në Evropë dhe në botë”, - tha ai. “Mund të shkojë më keq, por përfundimisht nuk do të ketë krizë. Për këtë jam i sigurt. Është një ekonomi e djersës dhe e punës së mundimshme.”

Njerëzit nuk kanë pará

Në pikun e vapës së mesditës, Faik Shoshari tregon se si hotelet dhe restorantet përgjatë bregdetit panoramik shqiptar i paguajnë atij 200 dollarë për secilën nga çadrat që familja e tij përgatit me metal dhe mbulesa.

Por kërkesa këtë vit ka rënë, ai i ofron ato me gjysmë çmimi ose më pak për kërkesa më të mëdha.

“Njerëzit nuk kanë pará për të paguar më shumë”, - tha ai.

Një rom etnik, që lëviz nga një vend në një tjetër me familjen e tij prej 17 personash, Shoshari parasheh një ulje të të ardhurave të tij prej 20 ose 30% këtë vit.

Ai shpreson se zgjedhjet, të sfiduara ngushtë nga lideri i opozitës socialiste, Edi Rama, mund të sjellin më shumë ndihmë nga qeveria.

“Ne jemi si një tufë delesh që nuk kanë një bari”, - thotë ai. “Ne na duhet një menaxher, na duhet ndihmë nga shteti”.

Remitancat nga shqiptarët që punojnë jashtë, investimet e huaja, turizmi dhe veshjet, si dhe eksportet minerare e kanë nxitur rritjen ekonomike prej më shumë se 6% në vitet e fundit.

“Shqipëria nuk është e integruar plotësisht në sistemin financiar botëror, kështu që dobësia jonë mund të bëhet fuqia jonë”, - tha për “Reuters” Rama, që aktualisht mban postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. “Në të njëjtën kohë ne jemi shumë të varur nga dërgesat e emigrantëve”.

Përveç rrugëve, punëtorët po ndërtojnë mijëra shtëpi, hotele dhe apartamente e restorante përgjatë bregdetit shqiptar, duke shpresuar të tërheqin një numër më të madh turistësh në brigjet ku dikur vizitorët nuk ishin të dëshiruar.

Ndërsa kostot e ndërtimit po rriten, “qeveria padyshim që do të ketë nevojë për një program me FMN për shkak të pamundësisë së financimit të buxhetit”, - tha një ekspert në Tiranë.

* Titulli është redaksional

Berisha: Çdo ndihmë nga FMN do sillte trazira sociale

Reuters

09.06.2009

Në dy intervista veçmas, kryeministri, Sali Berisha, kontrastonte me liderin e opozitës, Edi Rama, kryebashkiak i Tiranës, në lidhje me shëndetin e ekonomisë shqiptare dhe nevojën e Fondit Monetar Ndërkombëtar në muajt në vijim.

“U kam thënë atyre se shumë miq të mi dhe kolegë nuk duan të punojnë me ata. Pse?” - pyet Berisha. “FMN tremb biznesmenët; nuk është i shëndetshëm për biznesin.”

“Çdo program për ndihmë mund të inkurajojë trazira sociale.”

“Ne jemi totalisht kundër vendimit të qeverisë për t’u tërhequr nga programi i asistencës i FMN, për shkak se në këto kohë ne absolutisht kemi nevojë për ndihmën dhe për prezencën e FMN”, - tha Rama për Reuters.

Kryetari i bashkisë tha se do të nisë bisedimet me FMN menjëherë, nëse del fitues në zgjedhjet e këtij fundmuaji, në atë që sondazhet e cilësojnë një garë shumë të ngushtë në lidhje me drejtimin e ardhshëm të vendit.

“Mund të them që prioriteti ynë absolut është rihapja e negociatave me FMN”, - tha Rama.

Berisha: FMN nuk po e beson kush, sepse po i zhyt më keq vendet në krizë

“Business Week”

23.04.2009

Kam respekt të madh për FMN. Por ata nuk duhet të inkurajojnë përhapjen e panikut. Nuk është një gjë që ndihmon, sipas meje. U kam thënë atyre: “Shikoni, ju jeni një institucion, shumë, shumë i rëndësishëm. Jam shumë i gëzuar që G20 (ekonomitë më të zhvilluara në botë sh. t.), u kanë dhënë një rol të ri”.

Por shumë qeveri po hezitojnë të punojnë me ta, për shkak se skema e tyre në kohë të trazirave sociale, më shumë krijon probleme se sa i zgjidh. Nuk e konsideroj ekonominë shqiptare si shumë të brishtë. Është një ekonomi reale. Remitancat nuk po vijnë në atë nivel për shkak të humbjes së vendeve të punës në Greqi dhe Itali. Por ne po inkurajojmë turizmin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›