E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Partitë të mos bëhen pengesë për numërimin

BE-ja kërkon që procesi i numërimit të votave të mbyllet në mënyrë konstruktive si dhe të ruhet standardet.

“Ne po dërgojmë mesazh tani që është i rëndësishëm që procesi të vazhdojë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ka nevojë që i gjithë procesi i numërimit, përmbylljes së rezultateve dhe ankimimet të vazhdojnë në mënyrë konstruktive”, theksoi zëdhënësja e komisionerit Stefan Fyle, Natasha Butler.

 Ajo shtoi se BE-ja ndjek me vëmendje zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe përfundimin e të gjithë procesit. “Padyshim që Bashkimi Evropian po i ndjek nga shumë afër zgjedhjet lokale në Shqipëri. Dimë gjithashtu që OSBE/ODIHR-i lëshoi dje konkluzionet paraprake për zgjedhjet. Bazuar mbi këtë situatë, ne nënvizojmë se këto zgjedhje u zhvilluan në një atmosferë të ngarkuar e me polarizim të lartë. Siç u konstatua edhe në raportin e ODIHR, vlerësimi për zgjedhjet do të bazohet mbi të gjithë procesin pasi të jetë përmbyllur. Ndaj unë dua tu them se ne po ndjekim procesin në tërësinë e tij se si po shkon, përfshirë numërimin dhe nxjerrjen e rezultateve e më tutje ankimimet e mundshme”, tha zëdhënësja.

Sipas saj, Bashkimi Evropian konstaton se shqiptarët janë drejtuar tek kutitë e votimit në një numër më të madh se zakonisht. “Ne mirëpresim përfshirjen e kaq shumë njerëzve në një proces demokratik. Ecuria e procesit të numërimit të votave në përputhje me standardet ndërkombëtare është një prioritet kyç në ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Inkurajojmë aktorët politikë të ndërtojnë atmosferën politike të qetë që shoqëroi ditën e zgjedhjeve.  Të gjitha hapat duhet të ndjekin institucionet dhe rregullat e shtetit ligjor. Nëse shikoni të gjithë raportin do të shikoni se ai është shumë i qartë se vëmendja jonë është përqendruar tek shumë incidente që knë ndodhur”, vijoi më tej.  /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-05-11 14:00
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›