E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bido: Votat e PDIU-së janë tjetërsuar në disa komuna

Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun në PDIU, Ardit Bido, sqaroi se rreth orës 02:00 pas mesnate ka nisur numërimi i votave të komunës Lumas të Beratit, ku kandidatët e PDIU-së janë penguar për disa orë të hynin në KZAZ.

“Kur u mundësua hyrja e tyre, votat nuk pasqyroheshin në monitorët e KZAZ-së, çka përbën shkelje të kodit zgjedhor. Pas përfundimit të numërimit, janë nxjerrë jashtë mjediseve të KZAZ-së të gjithë vëzhguesit dhe është përpiluar tabela përfundimtare sipas dëshirës së anëtarëve të KZAZ-së, ku rezulton se akoma edhe në qendrën e votimit të kandidatit tonë në këtë komunë nuk ka vota për PDIU”, tha ai.

Bido tha gjithashtu se vota e kësaj partie është cenuar edhe në një qendër votimi në komunën Otllak të Beratit. “Në këtë qendër, ndonëse nga skanimi i votave rezulton se PDIU ka pasur 47 vota, në procesverbal janë shënuar vetëm 7, ndërkohë që 40 vota të tjera i kanë kaluar kandidatit të një force tjetër politike, që është i afërmi i nënkryetarit të kësaj KZAZ-je”, shtoi.

Në emër të PDIU-së, ai bëri thirrje partive politike që janë pjesëmarrëse në administrimin e procesit zgjedhor që të ruajnë cilësinë e këtyre zgjedhjeve. Në fund, Bido bëri të ditur se Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet kanë fituar bashkitë Sukth, Rrogozhinë dhe Librazhd, si edhe komunat Markat dhe Shushicë. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-05-11 14:44
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›