BE, Sanninno: Zgjedhjet janë me rëndësi për integrimin
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit në Bashkimin Europian, Stefano Sannino, theksoi dje nga Tirana rëndësinë e madhe që zgjedhjet vendore kanë për Shqipërinë, jo vetëm në planin e brendshëm, por dhe në atë të integrimit. Ai realizoi dje një takim me Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, me të cilin diskutoi për situatën prag zgjedhore në vend. Sanninno theksoi rëndësinë që kanë konluzionet e raportit të ODIHR-it, që do të bëhen në fund të vitit dhe se do të vlerësohet kontributi i secilit aktor, në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Pasi mbështeti miratimin sa më të shpejtë të Planit të Veprimit, Sanninno theksoi nevojën për arritjen e një metodologjie për trajtimin e përbashkët të problematikave, që shtrojnë 12 prioritetet dhe rëndësinë për të ruajtur vëmendjen dhe ritmin e punës në procesin e integrimit europian edhe pas zgjedhjeve. Kryeministri e falenderoi z.Sannino për angazhimin e Komisionit Europian, për të asistuar institucionet shqiptare në procesin e integrimit, nëpërmjet organizimit të aktiviteteve të përbashkëta që synojnë miratimin, me mbështetje sa më të gjerë të Planit të Veprimit për zbatimin e 12 prioriteteve të përcaktuara nga KE. Berisha e njohu z. Sannino me një seri masash, të marra në kuadër të përmirësimit cilësor të procesit zgjedhor të tilla si; miratimi i listave të zgjedhësve të pastruara nga duplikatat, personat më shumë se 100 vjeç dhe ata që kanë lënë shtetësinë, miratimin e ligjit për financimin e partive politike, urdhrin e fundit të Kryeministrit për ndalimin e përdorimit të automjeteve shtetërore dhe aseteve publike në funksion të fushatës zgjedhore, etj... Kryeministri Berisha dënoi incidentet e ndodhura gjatë fushatës, duke theksuar se nuk ekzistojnë shkaqe për tensionimin e fushatës. Ai theksoi se do të vazhdojë tu kërkojë të gjithë aktorëve të përfshirë në procesin zgjedhor, që të shmangin dhe distancohen nga çdo akt dhune dhe tensionim i fushatës zgjedhore. Kryeministri riafirmoi qëndrimin se Partia Demokratike dhe kandidatët e saj do të bëjnë një fushatë pozitive, të bazuar në vlera dhe të fokusuar te qytetari dhe komunitetet vendore, pavarësisht se z. Rama dhe Partia Socialiste e bazojnë fushatën e tyre në sulme ndaj mazhorancës dhe kandidatëve të saj dhe përpiqen t'i paraqesin zgjedhjet jo si zgjedhje administrative, por me karakter politik.