Fule: Zgjedhjet kërkojnë transparencë dhe besim
Mungesa e mirëbesimit mes palëve politike në Shqipëri, në prag të zgjedhjeve për pushtetin lokal, që do të mbahen më 8 maj, duket se po shqetëson Komisionin Europian. Stefan Fule, komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë deklaroi në një intervistë për “Top Channel” se i duhet dhënë fund retorikës që po prodhon tensionin e dhunën para zgjedhjeve. Ndër të tjera, Fule u ndal edhe te nevoja për të garantuar një proces sa më transparent zgjedhor dhe se media, në vlerësimin e tij ka një rëndësi kyçe në këtë linjë. Fule nuk hezitoi të kujtojë se ngërçi politik në të cilin ndodhet vendi që prej dy vitesh, po pengon procesin integrues drejt familjes europiane.
Komisioner, jemi përpara zgjedhjeve lokale, si e vlerësoni klimën politike parazgjedhore?
Komplekse. Të gjithë e njohim situatën në Shqipëri, ku ngërçi vijon prej kohësh, ku qeveria dhe opozita nuk kanë gjetur ende mënyrën sesi të komunikojnë, ndaj zgjedhjet lokale janë një mundësi për një fillim të ri. Por, ajo që duhet të garantohet është që zgjedhjet të jenë të lira, të ndershme e demokratike. Zgjedhjet duhet të jenë në përputhje me parimet europiane e ndërkombëtare, të ketë transparencë dhe besim, si dhe të ekzistojë mjedisi i duhur dhe i mirë, përpara mbajtjes së zgjedhjeve, në mënyrë që atmosfera parazgjedhore dhe fushata të mos bëhet peng i retorikave të pafavorshme.
Meqë ra fjala, përveç retorikave, a jeni të shqetësuar nga ky mjedis i dhunshëm parazgjedhor në Shqipëri?
Dhe kjo është fiks ajo që nisa të thosha, se na duhet që të ekzistojë mirëbesimi. Mirëbesim jo vetëm rreth partive politike, por sidomos ndaj atyre që do të shkojnë për të votuar. Duhet të krijojmë kushtet për transparencë, e ky proces të jetë sa më gjithëpërfshirës që të jetë e mundur. Ndaj retorika agresive nuk ndihmon për këtë.
Komisioner, a jeni të informuar se partitë politike në Shqipëri kanë kamera e studio montazhi në të dy kampet dhe se transmetojnë më pas takime të montuara elektorale, çfarë nuk lejon mbulimin transparent dhe informimin e duhur ndaj publikut mbi takimet elektorale?
Mendoj se këtu ka dy gjëra. Së pari, u takon partive politike e institucioneve, që të kenë mundësitë e tyre për të mbuluar takimet e tyre e kështu me radhë, por në të njëjtën kohë, dhe kjo është çështja e dytë, liria e medias duhet të zbatohet në mënyrë të gjithanshme. Nuk mund të përzgjidhen vetëm disa aktivitete, ku ju të lejoheni që t'i mbuloni e në të tjerat ju të limitoheni. Liria e medias ishte veçanërisht kryefjalë e Presidentit Barroso, kur ai vizitoi javën e kaluar rajonin. Kjo, sepse ne po përballemi me një sërë vështirësish mbi lirinë e medias, sidomos në Ballkan, por edhe në Turqi. Për këtë arsye, po organizojmë dhe konferencën e lartë, për t'i adresuar problemet e medias. Ndaj, shpresoj shumë, se jo vetëm që retorika të jetë e favorshme në zgjedhje, por që gjithashtu media të luajë një rol, e në fakt media ka një rol shumë të rëndësishëm, si para zgjedhjeve edhe pas tyre.