E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Propozimi yt, antishqiptar. Boshtinaru: Sjellja juaj, e mjerueshme

Dita e dytë e punimeve të Konferencës për Ballkanin në Parlamentin Europian është shoqëruar me polemika të zjarrta, midis Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, dhe eurodeputetit Viktor Boshtinaru. Një deklaratë e bërë në Parlamentin shqiptar, nga Topalli, është kontestuar nga europarlamentari por ka hasur në rikonfirmimin e saj prej zyrtares shqiptare, në debatin përpara krerëve më të lartë të institucioneve europiane. Në përfundim të takimit, Boshtinaru ju drejtua me një letër të hapur qytetarëve të Shqipërisë, ku hedh kritika të forta për klasën politike dhe zonjën Topalli.

Debati

“President i Parlamentit Europian, president i Komisionit Europian, kryeministri Orban, dua ta nis me një pikë të shkurtër të rregullores. Siç e dini, Presidenti Buzek, më 7 mars, unë ju kam informuar për një deklaratë kundër meje, anëtar i Parlamentit Europian dhe zëvendëskryetar i Delegacionit për Ballkanin Perëndimor, nga Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, e cila ndodhet këtu sot”, u shpreh Boshtinaru. Sipas tij, duke folur nga pozicioni i saj si kryetare Kuvendi, e ka cilësuar si racist, anti-shqiptar dhe të korruptuar. “Ajo shtoi edhe se unë paskam luftuar kundër regjimit të lirë të vizave për Shqipërinë. Deklarata e znj.Topalli është e pabazuar në fakte, prandaj dhe është e rëndë dhe e papranueshme. Dhe nuk më ofendon vetëm mua dhe dinjitetin tim, por edhe institucionet, vet Parlamentin Europian. Siç e dini z.President, konferenca e kryetarëve e diskutoi thellë këtë çështje rreth një muaj më parë. Unë jam gjithashtu i informuar se ju z. President, nga pozita juaj më e lartë në krye të PE, u përpoqët disa herë, nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe atyre jo diplomatike, ta bindni znj.Topalli të rrëzojë akuzat e saj. Unë nuk dua që ta kthejmë këtë temë në një debat, pasi do të ishte e padobishme meqë sot jemi të fokusuar në një çështje shumë të rëndësishme për Bashkimin Europian, e për kontinentin tonë në tërësi”, u shpreh Boshtinaru. Në reagimin e saj, kryeparlamentarja Jozefina Topalli theksoi se nuk kemi të bëjmë me një incident Topalli-Boshtinari. Sipas saj, ka një propozim të Boshtinarit për t’i bllokuar shqiptarët, pa asnjë arsye, që të përfitojnë nga lëvizja e lirë, për t’ju imponuar atyre sërish “Murin e Berlinit”. “Dhe në mes të 3.2 milionë shqiptarëve jam unë, Jozefina Topalli, që e konsiderova për të ardhur keq këtë propozim anti-shqiptar, racist, të ulët dhe të motivuar nga interesa të ulëta. Unë nënvizoj se një propozim i tillë, ‘alla Çaushesku’, është qartësisht i sponsorizuar nga qarqet anti-shqiptare. Ky është realiteti. Nëse çdokush ofendohet nga realiteti, atëherë falsiteti nuk i përket as realitetit, as 3.2 milionë shqiptarëve dhe aq më pak Jozefina Topallit”.

Letra e hapur

Pas seancës së tensionuar dhe replikave me kryeparlamentaren Jozefina Topalli, Viktor Bostinaru i është drejtuar me një letër shqiptarëve. Bostinaru e ka cilësuar situatën politike në Shqipëri si “kritike”, për shkak të shumë fenomeneve negative, por shprehet optimist se në fund populli shqiptar do të dalë më i fortë prej saj. “Më lejoni t'ju drejtohem juve me pak fjalë, të cilat nuk synojnë të jenë një përgjigje ndaj deklaratës së bërë më 24 shkurt në Parlamentin shqiptar, nga kryetarja e Kuvendit dhe që habitshëm u përsëritën edhe sot në Parlamentin Europian, por më shumë kanë për qëllim të qartësojnë rëndësinë që unë i kushtoj Shqipërisë dhe se cilat janë parimet që udhëheqin aktivitetin tim, në favor të vendit tuaj si anëtar i Parlamentit Europian, nënkryetar i Delegacionit për Marrëdhëniet me vendet e Europës jug-lindore dhe si nënkryetar i Komitetit Parlamentar për Stabilizimin dhe Asociimin BE-Shqiperi”, shkruan ai. Përgjigja ndaj sjelljes së mjerueshme të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, thotë ai, do të nënkuptonte dobësim të dinjitetit tim, ndaj për këtë arsye unë preferoj të ndjek një sjellje tjetër, për të informuar opinionin publik për situatën e vërtetë dhe për çfarë po ndodh sot në Shqipëri. “Jam një mik i vjetër i Shqipërisë dhe për këtë arsye, bashkë me idealet që shpjegova më parë, luftova, po luftoj dhe do të vazhdoj të luftoj për një Shqipëri më të mirë, me shpresën që së shpejti për një Shqipëri europiane. “Por, nëse kjo është mënyra sesi funksionon me politikanë të tillë si zonja Jozefina Topalli, apo anëtarë të tjerë të Partisë Demokratike në Shqipëri, unë duhet të jem i qartë për të thënë se ky nuk është rregulli që zbatohet në Parlamentin Europian dhe Bashkimin Europian. Në fakt është fiks ajo çfarë ne këtu e dënojmë dhe e refuzojmë”, insiston Boshtinaru.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›