E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në Turqi: Shqipëria, faktor stabiliteti në rajon

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i cili kryeson delegacionin zyrtar pjesëmarrës në punimet e Samitit të 14-të Ekonomik Euro-Aziatik (Forumi i Marmarasë) të Stambollit përshëndeti sot paradite me një fjalë seancën me temë: “Njeriu i mprehtë dhe bashkëkohor. Fitimet dhe humbjet e njëzet viteve të fundit” ku foli për “Arritjet e Shqipërisë pas formimit të shtetit të pavarur”. Në fjalën e tij Kryetari i Shtetit shqiptar theksoi: “Në një botë që globalizohet përditë e më shumë, takime të tilla, si Forumi i ‘Marmarasë’, dëshmojnë domosdoshmërinë e bashkëpunimit, veçanërisht mbi çështjet energjetike në rajonin e Detit të Zi e më gjerë, si elementë kyç për paqen dhe sigurinë rajonale. Rëndësia e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së investimeve, hartimi i projekteve të reja energjetike, ndërthurja e krizave ekonomike me politikën, përballja me terrorizmin, etj., përbëjnë sot sfida të përbashkëta të vendeve tona”. Përsa i përket rolit të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajonin ballkanik, Presidenti Topi, në përfundim të fjalës së tij nënvizoi se aktualisht Republika e Shqipërisë është një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Vendi ynë, insistoi Topi, tashmë si një anëtar aktiv i Aleancës euroatlantike, ka marrëdhënie shumë të mira me të gjithë vendet fqinj të saj dhe në veçanti me ato vende ku shqiptarët janë ura solide të miqësisë, si në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, etj. “Tashmë vendet tona të Ballkanit Perëndimor kanë flakur tutje epitetin e përçmimit që kanë pasur në shekuj si “fuçi baruti”. Këto vende tani të ardhmen e tyre e shikojnë tek zhvillimi i gjithanshëm i marrëdhënieve miqësore dypalëshe e shumëpalëshe, si dhe tek integrimi euroatlantik, si rruga e vetme e sigurisë, paqes dhe përparimit të këtij rajoni”, u shpreh Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›