E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, Sekui: Mbyllni reformat, shfrytëzoni kohën

TIRANË- Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Etore Sekui ka përsëritur apelin drejtuar politikës për bashkëpunim dhe konsensus për të përmbyllur të gjithë reformat dhe kriteret e kërkuara nga KE për integrimin e vendit në BE.

Gjatë një konferencë për shtyp, Sekui ka paraprirë raport progresin që do të dalë në vjeshtë nga BE-ja, duke numëruar rezultatet e arritura deri tani nga Shqipëria dhe duke kujtuar gjithcka tjetër që ka mbetur për tu bërë.

Në këtë raport do pasqyrohen aktivitetet për periudhën tetor 2011- shtator 2012. Ju kujtoj se ai bëhet në bazë të vendimeve, ligjeve të miratuara dhe masave që janë zbatuar. Si rregull nuk merren parasysh ato ligje që janë në përgatitje e sipër e presin miratimin në Kuvend. Unë nuk do e paraprij raportin e progresit. Do përqendrohem në arritjet e deritanishme, do jap një vlerësim të përgjithshëm- tha ai.

Sipas tij, palët kanë mundësi që për të ardhmen e afër të kenë bashkëpunim të qartë që të përfundohet puna për prioritetet kyce.

Ne besojmë se votimi për sistemin e imunitetit  do jetë hap kritik dhe i rëndësishëm. Përgëzojmë palët që kanë gjetur konsensusin për imunitetit. BE i jep rëndësi cështjeve që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit. Heqja e imunitetit është masë e rëndësishme në këtë luftë dhe donim reflektim të këtyre cështjeve. Ky nuk do ishte fundi i procesit pasi duhet të bëhen hapa të mëtejshëm mbi këtë çështje- tha ambasadori.

Ai ka këshilluar që Shqipëria duhet të japë argumente bindëse ndaj BE-së. Koha që ka mbetur të përdoret në mënyrën më të mirë të mundshme. Jo pushim, por integrim. Konsensus, bashkëpunim dhe mobilizim për të arritur rezultatet që duhen arritur- tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›