E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Zgjedhjet, të rregullta: Të formohet shpejt qeveria

Brukseli Eurodeputetët: Ku ka pasur probleme, të ndëshkohen fajtorët

Catherine Ashton, përfaqësuesja e lartë e BE-ë për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fule, i kanë cilësuar zgjedhjet parlamentare të Kosovës përgjithësisht të rregullta dhe të qeta. Në një deklaratë të përbashkët, dy drejtuesit europianë theksuan: “Ne i urojmë popullit të Kosovës për zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe qetësinë dhe rregullin në të cilin u zhvillua shumica e votimit. Ne po ashtu duam t’u urojmë autoriteteve dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veçanti, për organizimin e këtyre zgjedhjeve, në një afat kaq të shkurtër. Tani është e rëndësishme që në mënyrë të shpejtë të formohet qeveria e re dhe të zgjidhet Presidenti i ri, në mënyrë që të mund të fillojnë të merret me sfidat që janë përpara. Shefja e diplomacisë së BE-së dhe komisioneri për Zgjerimin, theksojnë më tej: "Ne presim që të punojmë me lidershipin e ri të Kosovës dhe të nisë sa më shpejt dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Kemi shumë punë para nesh në vitin që vjen, në mënyrë që Kosova të avancojë drejt BE-së". Ndërkaq, delegacioni vëzhgues i zgjedhjeve i Parlamentit Europian, një ditë pas përfundimit të procesit zgjedhor, ka dalë me vlerësimin se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare kanë qenë kryesisht të rregullta. Por, eurodeputetët e kanë parë si të dyshimtë procesin zgjedhor në Komunën e Skenderajt dhe atë të Drenasit, bastione këto të Partisë Demokratike të Kosovës, të udhëhequr nga Hashim Thaçi, i cili e ka shpallur fitoren e partisë së tij dhe e ka mandatar veten për Kryeministër. Eurodeputetja Doris Pack, në emër të grupit të deputetëve europianë, ka thënë se janë vënë në dijeni për parregullsi në Skenderaj dhe Drenas. “Delegacioni inkurajon partitë politike që të ndjekin procedurat e duhura ligjore. Shkelësit e identifikuar duhet të ndiqen penalisht në përputhje me ligjin, në mënyrë që të largohet kultura e mosndëshkimit”, ka thënë Pack.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›