E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi nis kontaktet për qeverinë e re

KQZ publikon rezultatet: PDK, dhjetë pikë para LDK-së

Tashmë fitorja e Hashim Thaçit në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit është zyrtare dhe mjaft e thellë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi triumfin politik të PDK-së në zgjedhje, duke dalë parti e parë, me 10 pikë diferencë mbi rivalen direkte Lidhjen Demokratike të Kosovës, por gjithsesi Thaçi nuk i ka ende numrat e plotë për të qeverisur e vetme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve doli mbrëmë me rezultate paraprake të zgjedhjeve parlamentare të së dielës, në të cilat dolën 47.5 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se në bazë të votave të numëruara, që janë 28564, fituese del PDK-ja me 33.5% të votave. Numërimi është bërë në 2280 qendra votimi. Sipas rezultateve paraprake, pas PDK renditet LDK me 23.6 për qind, Lëvizja Vetëvendosje me 12.2 për qind, AAK 10.8 për qind të votave, AKR 7.1 për qind, LDD 3.3 për qind. Kreu i KQZ-së theksoi se këtyre rezultateve u mungonin vetëm 28 vendvotime, rezultati i të cilave nuk ndikon në ndarjen finale të vendeve në Parlament. Gjithsesi, edhe dje, nga zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë nisur kontaktet e para me partitë e tjera dhe burime pranë PDK-së theksojnë se po zhvillohen bisedime me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt dhe AKR-në e Behgjet Pacollit. Zv.ministrja e Jashtme e Kosovës, zyrtare e lartë e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi dje se Partia Demokratike e Kosovës ka dalë partia fituese dhe si e tillë do të caktojë vetë partnerin e koalicionit në qeverinë e ardhshme. Çitaku tha gjithashtu se i mbetet Kryesisë së partisë për të vendosur se me cilën parti do të bëjnë koalicion pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës. Sipas Çitakut, PDK-ja do të ketë shumë më shumë vende në Parlament dhe do të përcaktohet për partnerin pas përfundimit të procesit zgjedhor. “Do të zgjedhim një partner të vogël dhe do të formojmë qeveri edhe me komunitetet”, u shpreh Çitaku. Ndërkohë ajo tha se sjelljet e partive të tjera janë produkt i nervozimit të tyre, ngase janë të befasuar me fitoren e PDK-së.

Ankesat

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vetëm gjatë ditës së zgjedhjeve ka pranuar rreth 40 ankesa nga disa prej partive politike që kanë garuar në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit.

Kryetari i PZAP-së, Shukri Sylejmani, tha se veç 40 ankesave që janë pranuar në ditën e zgjedhjeve, partitë kanë paraqitur dje edhe 11 të tjera. Sylejmani ka thënë se ankesat kryesisht kanë ardhur nga Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Aleanca Kosova e Re dhe parti të tjera. Afati i fundit ligjor për pranimin e ankesave është dita e sotme, deri në orën 19:00. Sylejmani ka pohuar se pas orës 19:00, PZAP-i ka afat 72 orë për të vendosur lidhur me ankesat.

Serbët

Në një deklaratë për mediat e Beogradit, sekretari i Shtetit në qeverinë serbe, Oliver Ivanoviç, deklaroi se pret që së shpejti të nisin negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës dhe sipas tij ata presin që bisedimet të zhvillohen me Thaçin Kryeministër të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›